Sampdoria ndal Juventusin, Roma vetëm 1 pikë larg

14/12/2014 00:00

Kryesuesit e Serie A janë ndalur edhe nga Sampdoria. Brenda 9 ditësh Juventusi shënon barazimin e tretë, ku pas Fiorentinës dhe Atletiko Madridit ishte Sampdoria që ka ndalur bardhezinjtë me rezultatin 1-1.

Pavarësisht se të besuarit e Allegri-t arritën të shënonin që në minutën e 12-të me anë të mbrojtësit francez, Evra, Sampdoria gjeti forca dhe me një lojë bindëse, duke barazuar rezultatin në pjesën e dytë me anë të lojtarit më në formë të tyre, Gabbiandini-t në minutën e 6-të të pjesës së dytë.

Pavarësisht përpjekjeve për të shënuar golin e dytë dhe të avantazhit, Juventusi nuk arriti dot të merrte tri pikët në këtë ndeshje, duke i dhënë mundësinë Romës të afrohej.

Kryeqytetasit nuk gabuan, duke koleksionuar fitoren e 11-të në kampionat në transfertën e vështirë të Xhenovas. Ishte belgu Nainggolan ai që i dha fitoren Romës me një gol vetëm 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Me këtë fitore Roma u ngjit në kuotën e 35 pikëve, vetëm 1 më pak se bardhezinjtë.

Të dielën u luajtën edhe dy takime të tjera të Serie A, ku Parma barazoi pa gola ndaj Kaliarit, ndërsa Verona fitoi në Udine 1-2.

Top Channel