Akuzat ndaj Luan Shabanit, reagon Federata greke e Peshëngritjes

14/12/2014 00:00

Pas akuzave të njëpasnjëshme ndaj Luan Shabanit për pozitivitetin e sportistëve shqiptarë në Botërorin e Peshëngritjes në Kazakistan vjen reagimi i Federatës Greke të Peshëngritjes.

Në mungesë të Pirro Dhimës, presidentit të kësaj federate, zëdhënësi i saj Tasho Papakristo bën publik qëndrimin e kësaj federate për akuzat e palës shqiptare ndaj Luan Shabanit.

“Ekipi përfaqësues i peshëngritjes shqiptare, erdhi në Greqi për dy muaj gjatë verës për t’u stërvitur bashkë me përfaqësuesen tonë. Shpenzimet për qëndrimin e tyre mbuloheshin nga vetë ata. Se çfarë thonë tani shqiptarët është çështje e tyre, por nëse kanë dokumenta siç thonë, le t’i paraqesin”, ka deklaruar Tasho Papakristo, zëdhënësi i presidentit të Federatës Greke të Peshëngritjes.

Ndërkohë, më pas mediat greke theksojnë faktin se lajmi se përfaqësuesja shqiptare drejtohej në Kazakistan nga Luan Shabani, ka dalë vetëm pas rezultateve pozitive të analizave të sportistëve shqiptarë, ndërkohë që zyrtarisht me statusin e trajnerit në Kazakistan Romela Begaj kishte Gazmend Haksanin, ndërsa Daniel Godellit kishte Sokol Bishanakun.

Gjithsesi, pala greke duket e hapur të mbështesë hetimet, nëse do të ketë fakte, ashtu siç pretendon presidenti i Federatës shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Top Channel