Belgjikë, tjetër dramë pengmarrjeje. 4 të armatosur mbajtën 1 peng

15/12/2014 00:00

4 persona të armatosur u raportuan të kishin marrë një burrë peng, gjë që çoi në një situatë mëse të tensionuar me policinë në një bllok apartamentesh, në Belgjikë.

Rreth 30 forca speciale të policisë u thirrën për t’u përballur me situatën në qytetin Ghent, në veriperëndim të vendit, mëngjesin e së hënës.

Pengmarrja në Belgjikë ndodhi thuajse në të njëjtën kohë, kur policia në Australi vazhdonte të përballej me një situatë pengjesh me një të dyshuar të armatosur në Sidnej, i cili mban të bllokuar disa pjesëtarë stafi dhe klientë brenda një kafeneje.

Pamjet e publikuara online treguan oficerë, që mbanin maska dhe jelekë antiplumb jashtë bllokut rezidencial, i cili gjendet në një prej rrugëve më të ngarkuara me dyqane dhe restorante, në lagjen “Dampoort”.

Banorëve të zonës iu kërkua të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mos dalin jashtë, pasi policia kishte rrethuar zonën mëngjesin e sotëm, sipas raporteve të mediave lokale. Ndërsa sipas komenteve në rrjetet sociale, një helikopter policie është parë të qarkullojë në zonën në fjalë.

“4 persona të armatosur hynë me dhunë në një ndërtesë banimi”, tha zëdhënësi i policisë, Manuel Mugica Gonzales, për “Standaard”. “Ata ndodhen brenda, por ende nuk është e qartë se çfarë po ndodh atje. Kemi krijuar një zonë sigurie dhe u kemi kërkuar rezidentëve të qëndrojnë brenda shtëpive për sigurinë e tyre. Për momentin, askush nuk është evakuuar”, njoftoi fillimisht ai.

Mësohet se tre vetë janë dorëzuar pa dhunë, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për të dyshuar si pengmarrës dhe as nëse episodi ka marrë fund apo rrethimi vazhdon.

Prokurorët lokalë këmbëngulin se nuk ka asnjë të dhënë, që të tregojë se agresorët kanë lidhje me terrorizmin, apo grupin më të përfolur xhihadist të momentit, Shtetin Islamik, e shtojnë se pavarësisht faktit që ndodhën në të njëjtën ditë, episodi i Ghentit nuk është i ngjashëm me atë të Sidnejit.

Ghenti ka një popullsi prej rreth 250 mijë banorësh.

Top Channel