Bimët medicinale, Rama: Subvencioni i naftës, vetëm me faturën e shitjes

15/12/2014 00:00

Nëse disa vite më parë ishte thjesht një pikë grumbullimi për bimët medicinale e instaluar në Maminas të Durrësit, sot me mbështetjen e fondit për subvencionet  në bujqësi të dhëna nga AZHBR-ja është një fabrikë e mirëfilltë ku sherebeli përpunohet dhe shkon i gatshëm për tregun amerikan.

Sipërmarrësi Nexhit Hysenaj i tregoi kryeministrit Edi Rama nivelet aktuale të këtij biznesi pas përfitimit të suvencionit: “U bë një investim në kohë rekord që u rimbursua 50%. Është një teknologji që ka trefishuar eskportet, që shërben dhe për herë të parë shkon produkt final në SHBA. Nëse 2500 fermerë që grumbullojnë, nuk punojnë, fabrika ime mbyllet.”

Ne e kemi mbyllur lojën e suvencioneve pa fatura tha kryeministri Rama duke hapur një kapitull të ri për bujqësinë dhe fshatin shqiptar: “Kush do naftë pa akcizë dhe ulje të TVSH-së për farërat duhet të na vijë me faturë në dorë. Në atë moment i merr të gjitha këto. Jemi tërësisht korrekt me të gjithë sektorin pasi zotimet tona i mbajmë për ata që i përgjigjen kërkesave.”

Sipërmarrësi Hysenaj iu ankua kryeministrit Rama për sjelljen jo korrekte të tatimorëve: “Më vinte inat kur vinin inspektorët dhe më thonin që nuk ishin të kënaqur dhe sapo dilnin te dera kur shikonin që kishin ardhur njerëz për t’u punësuar jepnin alarmin dhe bënin procesverbalin me 5 milionë lekë.”

Ky ishte reagimi Ramës: “Këtu, Zot është vetëm sipërmarrësi dhe kush troket te dera duhet të dijë si të sillet. Por, ju duhet të na ndihmoni me një gjë, duhet të denonconi.”

Pas denoncimit nga ky biznesmen mbi shkeljen e etikës, sjelljen e pahijshme dhe komunikimin jozyrtar të inspektorit të Tatimeve, ai është identifikuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Durrës si Mendu Koçi. Janë kryer po gjatë ditës së sotme të gjitha verifikimet nga ana e kësaj drejtorie dhe kanë filluar procedurat për largimin e këtij nëpunësi nga shërbimi civil.

Sipas po kësaj drejtorie, mësohet se inspektori i tatimeve Mendu Koçi është shkarkuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Durrës dhe drejtuesit aktuale të administratës së tatimeve janë detyruar ta rikthejnë në punë sipas vendimit të gjykatës.

Top Channel