Elbasan, nis aksioni për ujin, ndërpriten lidhjet e debitorëve

15/12/2014 00:00

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan ka nisur aksionin për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm ndaj debitorëve. Aksioni u përqëndrua në lagjen “Haxhias”, ku një pjesë e mirë e banorëve nuk e paguajnë këtë shërbim.

Drejtori Altin Cenolli vuri në dukje se debia, që Ndërmarrja e Ujësjellësit Elbasan ka për të grumbulluar, është edhe më shumë se 450 milionë lekë.

“Debia arrin afërsisht në 450 milionë lekë prej banorëve të qytetit të Elbasanit, mes të cilëve janë biznese por edhe familjarë. Debitorët janë të shumtë në numër dhe po merren masat e njëpasnjëshme deri në likujdimin e plotë të faturave”, shprehet Altin Cenolli, drejtor i Ujësjellësit, Elbasan.

Aksioni për ndërprerjen e ujit të pijshëm ndaj debitorëve është mbështetur edhe nga forcat e policisë.

Ndërkohë, Ndërmarrja e Ujësjellësit Elbasan, për të minimizuar humbjet në rrjet dhe monitoruar me saktësi sasinë e ujit të harxhuar, ka nisur vendosjen e sahateve të reja matëse. Teknologjia e re ka nisur funksionimin fillimisht në lagjen “5 Maji”, një nga lagjet më të mëdha dhe me humbjet më të konsiderueshme të ujit në rrjet.

Top Channel