Shitja e armëve, Rusia “boom” në 2013-n, përkundrejt trendit global

15/12/2014 00:00

Shitjet e armëve ruse vazhdojnë rritjen me ritme të shpejta, falë investimeve të bollshme të Moskës, edhe pse në të gjithë globin shpenzimet e mbrojtjes janë tkurrur.

Sipas “think tank”-ut suedez, SIPRI, në 2013-n shitjet e prodhuesve rusë të armëve janë rritur me 20%, e kjo – sipas njërit prej drejtuesve të “Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm”, Siemon Wezeman, – i detyrohet angazhimit të qeverisë në Moskë për ta mbajtur të njëtrajtshëm e të pandërprerë nivelin e investimeve në ushtri.

Kompania ruse me shitjet më të larta për vitin e kaluar ishte “Tactical Missiles Corporation”, e cila regjistroi një shtim prej 118 përqind, ndërsa në vend të dytë vjen “Almaz-Antey”, me 34% rritje. Kjo e fundit është sot prodhuesja e 12 më e madhe e armëve në botë dhe po i afrohet gjithmonë e më shumë një vendi në 10-shen kryesore, të pushtuar që prej fundit të Luftës së Ftohtë nga prodhues amerikanë e të Europës Perëndimore.

“Think tank”-u përmend tërheqjen nga Afganistani dhe Iraku, si njërën prej arsyeve kryesore të rënies me 4.5% të shitjeve të armëve nga kompanitë amerikane. Pavarësisht kësaj, prodhuesit në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dominojnë listën, me 6 kompani të tyre në 10-shen e më të mëdhenjve.

Sa për blerjen e armëve, shpenzimet ushtarake për këtë qëllim në 2013-n kanë rënë me 1.9%, kryesisht si pasojë e shkurtimeve në buxhetet e mbrojtjes, që kanë bërë si Amerika, ashtu dhe disa vende të Europës Perëndimore. Rusia është ajo që shpenzon më shumë për mbrojtjen, pas Amerikes dhe Kinës, dhe që prej vitit 2004 i ka dyfishuar paratë e hedhura për këtë qëllim.

Top Channel