“Letrat e Ramës, letra nga Ferri”

15/12/2014 00:00

Partia Demokratike ironizoi me letrat e urimit për fundvit që kryeministri Edi Rama po u dërgon qytetarëve. Nëpërmjet koordinatorit Ervin Salianji, PD-ja tha se “letra e Edi Ramës për qytetarët, është në të vërtetë një letër nga ferri”.

“Nuk ka si të jetë ndryshe, kur mijëra familje sot janë në errësirë, janë të pamundura për të paguar energjinë dhe faturat abuzive sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë asnjë burim ekonomik. Urimi për festat e fundvitit, është hipokrizia më e madhe që mund të ndodhë me realitetin e zymtë që e ka krijuar ai vetë, Edi Rama me politikat e represionin e tij, me shtetin policor, me rritjen e taksave, me dështimin e njëpasnjëshëm në ekonomi, me papunësinë e mjerimin që ka krijuar”, deklaroi Salianji.

“Shkruan Edi Rama letra, por pensionistëve u ka hequr shpërblimin e fundvitit, nuk rrit me asnjë qindarkë të ardhurat e tyre dhe të nëpunësve dhe nuk u dha pagën e trembëdhjetë”, shtoi Salianji.

Top Channel