Kina kundër SHBA-ve: Të korrigjohen, po shkelin parimet e tregtisë së lirë

15/12/2014 00:00

Kina është e pakënaqur me faturën e shpenzimeve të miratuar nga Dhoma e Përfaqësueve në Shtetet e Bashkuara javën që shkoi. Sipas Pekinit, projektligji përmban nene diskriminuese, që shkelin rregullat e tregtisë së lirë e dërgojnë “sinjalin e gabuar”.

“Kina është thellësisht e pakënaqur me këtë lëvizje të Kongresit amerikan, së cilës i kundërvihet me forcë. Janë disa nene të tij, të cilat prekin jo vetëm bashkëpunimin normal të biznesit mes kompanive të të dy vendeve, por dëmtojnë edhe vetë interesat e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, Kina u kërkon SHBA-ve të marrin masa të qenësishme e të korrigjojnë praktikat e tyre të gabuara, në mënyrë që të krijohet një ambient i shëndetshëm për marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet saj dhe Amerikës”, kanë reaguar zyrtarë kinezë.

Nene të projektligjit 1,1 trilionë dollarësh, të miratuar të enjten, kufizojnë ose ndalojnë përdorimin e fondeve për aktivitete bashkëpunimi, që përfshijnë qeverinë e Pekinit apo kompani të ndryshme kineze. Një prej tyre, për shembull, nuk lejon më të përdoren fonde për sigurimin e produkteve të përpunuara kineze të mishit të shpendëve, për vaktin e drekës nëpër shkolla.

Reagime të tilla të autoriteteve kineze ndaj faturave amerikane të shpenzimeve nuk janë një risi. Janarin e këtij viti, Pekini u ankua për disa nene të projektligjit të mëparshëm, të cilat përfshinin rishikimin e blerjeve federale teknologjike të spiunazhit kibernetik nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.

Top Channel