Kosovë, 15-vjetori i Bankës Qendrore. Jahjaga: Qëndrueshmëri sistemit financiar

15/12/2014 00:00

Banka Qendrore e Kosovës, të hënën ka shënuar 15-vjetorin e themelimit. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se BQK ka përmbushur me përkushtim funksionin e saj për të garantuar qëndrueshmëri në sistemin financiar, duke vlerësuar atë si njëra ndër shtyllat kryesore institucionale të ekonomisë në vend.

Por Presidentja, gjatë ceremonisë për BQK, preku një nga temat më të ndjeshme këto ditë në Kosovë, atë të largimit të të rinjve drejt vendeve të BE-së.

Jahjaga, theksoi se shkalla e pamjaftueshme e rritjes ekonomike, papunësia dhe mungesa e efektivitetit qeverisës, po çon në një ambient që stimulon pasigurinë dhe rrit numrin e të rinjve, që po bëhen pre e rekrutimeve për luftëra të ashtuquajtuara të shenjta.

Ndërsa guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, foli për sfidat dhe sukseset e këtij institucioni. Ai tha se gjatë viteve ’90 BQK ishte shkatërruar plotësisht dhe 15 vite më parë gjithçka nisi nga e para, ndërsa theksoi se ulja e normave të interesit është prioritet i bankës që drejton.

Top Channel