OSHEE: 122 drejtues vendorë nuk kanë paguar energjinë

15/12/2014 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka bërë publik të tjera fakte tronditëse që thellojnë skandalin e abuzimeve me energjinë elektrike nga njerëzit me pushtet.

Përmes një njoftimi zyrtar, OSHEE-ja bën të ditur se pas kontrolleve të kryera në sistemin e saj të pagesave, ka rezultuar se 36% e të zgjedhurve vendorë kanë detyrime të papaguara për energjinë. Më saktësisht nga 385 drejtues të njësive vendore, bashki apo komuna që janë kontrolluar ka rezultuar se 122 prej tyre janë debitorë dhe kanë detyrime të pashlyera energjie.

Skandali thellohet edhe më shumë nga fakti se këto nuk janë detyrime të njësive apo institucioneve publike që ata drejtojnë, por fatura private të të zgjedhurve lokalë. OSHEE-ja thotë se ka ndërprerë energjinë për 83 nga këta zyrtarë dhe e ka rilidhur më pas për 43 prej tyre pasi kanë shlyer detyrimet.

Të dhënat zyrtare të bëra publike më parë nga qeveria tregojnë se ndër disa kategori në nevojë si pensionistët apo njerëzit me aftësi të kufizuar, arkëtimet e energjisë tejkalojnë 90%. Por, përballë këtij realiteti, njerëz të zgjedhur me pushtet, të cilët drejtojnë institucione të shtetit, nuk i kanë shlyer detyrimet për energjinë që konsumojnë në banesat apo bizneset e tyre private.

Një skandal që tregon se si është menaxhuar sistemi energjetik për shumë vite. Operatori i Shpërndarjes u ka bërë sërish thirrje të zgjedhurve vendorë që të shlyejnë pagesat e energjisë duke deklaruar se nuk do të tolerojë asnjë prej tyre dhe për ata që nuk bëjnë pagesat do të kërkojë shkarkimin nga postet.

Top Channel