Kushtetuesja rrëzon padinë e PD, në qershor zgjedhje me 61 njësi vendore

15/12/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese la në fuqi ndarjen e vendit në 61 bashki. Anëtarët e gjykatës rrëzuan kërkesën e Partisë Demokratike, të cilët
kishin kërkuar pranë saj konsiderimin antikushtetues të ndarjes territoriale, të miratuar nga mazhoranca dhe PDIU në korrik.

Top Channel ka mësuar se pro rrëzimit të kërkesës së PD ishin 7 anëtarë të kësaj trupe, përballë 2 votave pro.

Demokratët argumentuan se reforma kishte shkelur të paktën 5 parime kushtetuese, ku rendiste: miratimin e njëanshëm, procedurën e përshpejtuar parlamentare, mungesën e konsultimeve me qytetarët, suprimimi i komunës si njësi e qeverisjes vendore si dhe ndarjen e zonave duke mos u respektuar kriteret njësoj.

Por, këto pretendime mesa duket nuk janë gjetur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila e ka lënë në fuqi këtë ndarje territoriale, ndërsa argumentet e saj do të jepen me vendimin e zbardhur të Gjykatës.

Vendimi është përshëndetur menjëherë nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilëson atë “një vendim të kthjellët”. “Vendim i kthjellët i Kushtetueses ku vulos një reformë historike dhe i hap rrugë riorganizimit rrënjësor të territorit dhe shërbimeve”.

Dhe e diela e 21 qershorit të vitit të ardhshëm do të jetë data e zhvillimit
të zgjedhjeve për pushtetin vendor me ndarjen e re administrative.

Kjo e hënë ishte edhe afati i fundit i Presidentit për të ushtruar
detyrën e tij në dekretimin e datës, detyrë që Nishani e ka ushtruar pak
orë pas vendimit të Kushtetueses. 

Top Channel