BSH, Braçe: Kuvendi bllokon emërimet. Seancë dëgjimore me kandidatët për Këshillin

15/12/2014 00:00

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, kritikoi administratën e Kuvendit se po zvarrit procesin e emërimeve në Bankën e Shqipërisë, duke shkelur afatet ligjore.

“Administrata e Kuvendit ka tejkaluar çdo afat ligjor në përzgjedhjen paraprake të emrave, të bërit të njohur për ta të datës së dëgjesës publike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. I kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit që të marrë përgjegjësitë dhe të organizojë sa më parë seancën dëgjimore me të 15 kandidatët e paraqitur, apo që kanë aplikuar pranë Kuvendit”, u shpreh Erion Braçe.

Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë administrohet në kushte të jashtëzakonshme. Këshilli Mbikëqyrës është në limitet e kuorumit ligjor, ndërsa në krye të Bankës qëndron një guvernator i komanduar. Zoti Braçe thotë se nuk është komisioni, ai që po e zvarrit procesin.

“Kjo pjesë e procedurës ndiqet apo organizohet nga administrata civile e Kuvendit. Ende nuk është pjesë e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, i cili vihet në lëvizje vetëm pasi 28 deputetë mbështesin me firmat e tyre 2 apo më shumë kandidatë të mundshëm për t’u dëgjuar në këtë komision”, theksoi më tej deputeti Braçe.

Komisioni miratoi dorëheqjen e Ardian Civicit nga bordi i bankës, duke e lënë atë me 5 nga 9 anëtarë që kërkon ligji. Por, përveç kësaj, edhe për dy anëtarët e tjerë që kanë mbetur, Petraq Milon dhe Dhori Kulen, ka pikëpyetje për papajtueshmëri ligjore me postin. Braçe i kërkoi qeverisë të nisë shkarkimin e tyre.

“Kanë konsumuar dhe kanë thyer të gjitha nenet respektive të ligjit për Bankën e Shqipërisë, duke u marrë aktivisht, madje duke u zgjedhur edhe në forumet drejtuese të Partisë Demokratike. Një shkelje flagrante e ligjit. Të gjitha institucionet përgjegjëse, që ngarkon ligji me këtë çështje, të marrin vendimet përkatëse për t’i shkaktuar nga detyra të dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës”, deklaroi Braçe.

Drejtimi në kushte të jashtëzakonshme ka ngritur mes ekspertëve shqetësimin, se kjo mund të cënojë aftësinë e bankës për të përmbushur detyrën e saj ligjore, veçanërisht në situatën e vështirë që po kalon ekonomia.

Pak ditë më parë, Presidenti propozoi zyrtarisht kandidaturën e tij për guvernator, por edhe ky proces duket se do të zvarritet, pasi mazhoranca ka lënë të kuptohet se nuk do e mbështesë kandidatin e propozuar nga kreu i shtetit.

Top Channel