Bllokimi i rrugës Tiranë-Elbasan, pritet përkeqësim i situatës

15/12/2014 00:00

Segmenti rrugor Tiranë-Elbasan do të mbetet sërish i bllokuar deri në një afat të pacaktuar. Shembja e një masivi dheu nuk jep garanci për qarkullimin e automjeteve dhe shirat, që priten të bien në orët në vazhdim, mund ta përkeqësojnë situatën në Ibë të Tiranës.

Tri ditë nga rënia masive e dheut nuk është bërë asnjë ndërhyrje, apo të jetë marrë ndonjë masë mbrojtëse, kjo për shkak të vështirësisë për t’i dhënë një zgjidhje situatës së krijuar. Transporti i udhëtarëve sërish ka vijuar në këmbë për disa kilometra.

Linjat e udhëtarëve funksionojnë me dy automjete, duke shmangur kalimin në Ibë dhe duke i lënë pasagjerët që ta përshkojnë në këmbë një segment prej afro 2 km. Rrugët mbahen të bllokuara nga policia, e cila ka forca të shumta patrulluese, por ka ngritur edhe disa postblloqe.

Paraditen e së hënës, banorët që rrezikohen nga shembja e masivit të dheut kanë kërkuar zgjidhje nga firma kontraktore, që po punon për ndërtimin e rrugës së re Tiranë-Elbasan. Pas një debati të gjatë, firma ka ofruar mundësinë e strehimit të tyre, si e vetmja alternativë momentale.

Ndërkohë që, edhe të dërguarit e Prefektit në zonë kanë marrë masat për të vlerësuar dëmet, që shkaktoi rrëshqitja e masivit të dheut. Situata duket se nuk po merr një zgjidhje përfundimtare. Kjo rrugë lidh juglindjen e vendit me kryeqytetin. Krahina juglindore shqiptare, duke përfshirë edhe Elbasanin, ka një popullsi më shumë se 1 milion banorë.

Top Channel