Burg kujt ndërton pa leje. Debate në PS për kompetencat e INUK

15/12/2014 00:00

Qeveria nuk do të tolerojë asnjë ndërtim pa leje. Ata që do ta bëjnë do të ndëshkohen me burg.

Për këtë është propozuar ndryshimi i Kodit Penal, sipas të cilit dënohet deri në 1 vit burg ai që ndërton pa leje ose jashtë lejes në tokën e vet dhe deri në 8 vjet ai që ndërton në tokë tjetër, private apo shtetërore.

I njëjti dënim penal parshikohet edhe për të gjthë ata që marrin pjesë në çdo ndërtim të paligjshëm. Ndryshimi i Kodit Penal është në funksion të rolit të ri që do të ketë Inspektoriati i Ndërtimit.

Disa ndryshime ligjore jo vetëm e vendosin atë nën vartësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por i caktojnë atij rolin e kontrollit dhe mbrojtjes së territorit nga ndërtimet e paligjshme, ç’ka i jep edhe emrin e ri Inspektoriati i Kontrollit dhe Mbrojtjes se Territorit dhe të drejtën për të paditur këdo që shkel ligjin.

Ndryshimet në ligj u miratuan vetëm në parim nga mazhoranca, por sipas diskutimeve të para, drafti i qeverisë pritet të ndryshojë, sepse disa prej anëtarëve socialistë të komisionit e gjejnë me shumë mangësi ligjore propozimin, që sipas tyre nuk është në përputhje me misionin ligjor të policisë dhe ngushton veprimtarinë e inspektoriatit në kontrollin e cilësisë së ndërtimeve.

Mes socialistëve nuk ka munguar ironia për ndryshimin e vartësisë së inspektoriatit tek Ministria e Brendshme dhe ironia ishte në adresë të kryeministrit Rama.

Top Channel