Pirateria, AMA paralajmëron kabllorët: Paraqisni të drejtat e transmetimit dhe autorit

15/12/2014 00:00

AMA nuk do të tolerojë më shkeljen e ligjit dhe piraterinë televizive. Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala, u ka kërkuar të gjithë përfaqësuesve të operatorëve kabllorë të paguajnë taksat vjetore, si dhe të paraqesin të drejtën e transmetimit dhe të drejtën e autorit.

Pirateria e programeve është një proces, i cili duhet të marrë fund, ndaj zbatimi i ligjit do të jetë e vetmja rrugë partneriteti mes operatorëve dhe AMA-s.

“Hiqni dorë nga pirateria, pasi nga kjo çështje nuk iu mbron dot asnjë punonjës i AMA-s, i ri apo i vjetër kushdo qoftë. Është vjedhje e pronës së tjetrit. Për këtë ka sanksione, ka reduktim zone, por ka edhe pezullime. Sillni sa më shpejt pranë AMA-s pagesën vjetore dhe të drejtat e transmetimit dhe të autorit. Këto janë elementare. Megjithëse nuk kanë të bëjnë me kryetarit, po iu them që duhen kryer sa më shpejt”, deklaroi kreu i ri i këtij institucioni, Gentian Sala.

Në treg janë rreth 114 operatorë kabllorë, nga të cilët 25 janë tërësisht të palicencuar. Disa nga operatorët kabllorë kanë shprehur shqetësime për sa i përket aksioneve të fundit të OSHEE-së, ku janë hequr edhe rrjetet e tyre elektrike.

“Duam të dimë nga ju në radhë të parë nëse çdokush nga ne mund të transmetojë nga kanalet kombëtare, qoftë dhe pa kontratë. Së dyti, në disa kabllorë kanë lindur problematika për shtrirjen e rrjetit nëpër shtyllat e energjisë elektrike dhe a mund të ndikoni ju për këtë çështje apo jo”, tha Edmond Zane, përfaqësues kabllori.

“Detyrimin e bartjes së programeve kombëtare: RTSH, Top Channel dhe TV Klan, nëpër rrjetet e komunikimit elektronik kabllor të subjekteve të autorizuar për ripërsëritjen e programit audoviziv, në zonat që nuk mbulohen me sinjal. NUK MBULOHEN ME SINJAL, ky është kushti parësor, pastaj është çështja tjetër e të qenit pa pagesë apo jo. Sot, me sa di unë, të gjithë prej jush transmetoni, edhe në zonat ku këta operatorë kombëtarë kanë sinjal. Kjo pikë rregullohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), por me sa kuptoj edhe AKEP-i do të fillojë herët a vonë me kontrollin e respektimit të vetë autorizimit që iu ka dhënë”, theksoi kreu i AMA-s, Sala.

“Janë disa kanale pa pagesë, si Rai e të tjera, që me sa di askush në Shqipëri nuk ka autorizim për t’i trajtuar apo për t’i shitur. Por, kur vini ju të AMA-s apo të KKRT, thjesht pyesni nëse kemi kontratë për këto kanale dhe kërkoni heqjen, ndërkohë që ankesë nuk ka nga askush prej të huajve”, tha Edmond Isaku, kryetar shoqate.

Në këtë takim të parë me operatorët, kryetari i AMA-s tha se nuk do të ketë më licencime pa asnjë kriter të operatorëve të ndryshëm, dhe marrje vendimesh në kundërshtim me ligjin.

Top Channel