Bosnja bllokon Kosovën në Kartën e Adriatikut

15/12/2014 00:00

Deklarata e ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati shkaktoi largimin e ambasadorit serb në takimin e Kartës së SHBA-Adriatik 5, takim që mbylli edhe kryesimin shqiptar të kësaj nisme.

“Nuk shohim asnjë arsye përse të shtyhet anëtarësimi me të drejta të plota të Kosovës”, deklaroi Bushati.

I pyetur se si e komenton largimin e ambasadorit serb, shefi i diplomacisë shqiptare u përgjigj:

“Ky është një qëndrim i palës serbe, unë jam i mandatuar për të artikuluar interesat tona dhe jo të Serbisë. Secili vend i rajonit e di mirë si e sheh raportin me NATO-n dhe sfidat e sigurisë, e të tjera me të cilat përballet qytetërimi perëndimor sot. Ne do të donim një gjithëpërfshirje, edhe me Serbinë, pasi kjo është rruga më e mirë për të mos krijuar boshllëqe në aspektin e sigurisë”, tha Bushati.

Por megjithë reagimin serb, që është vend vëzhgues ashtu si Kosova, refuzimi i aplikimit të Prishtinës në këtë nismë u bë nga Bosnje-Hercegovina, vend me të drejtë vote.

“Është një çështje që nuk më takon mua. Çdo vend ka përfaqësuesin e vetë për të mbrojtur interesat e veta, unë përfaqësoj dhe mbroj ato të Shqipërisë”, tha më tej Bushati.

Karta e Adriatikut u krijua në maj të vitit 2003, si një nismë e Shteteve të Bashkuara për të asistuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për anëtarësimin në NATO.

Sot, me anëtarësimin edhe të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, nisma numëron 5 vende pjesëmarrëse.

Shqipëri-Mali i Zi, njohje e ndërsjellë e patentave

Ndërkohë, ministri Ditmir Bushati priti në takim dypalësh homologun e Malit të Zi, me të cilin u nënshkrua edhe marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të përdorimit të patentave mes dy vendeve.

Igor Luksiç pohoi në Tiranë se kanë nisur proçedurat që Tuzit t’i jepet statusi i komunës, si dhe heqjen e barrierave ligjore që kësaj zone turistike të banuar nga shqiptarët t’i shkojnë të ardhurat financiare nga shfrytëzimi i turizmit. Ndërsa ministri Bushati deklaroi mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. 

Top Channel