Pengmarrja në Australi, identifikohet agresori: Man Haron Monis

15/12/2014 00:00

Personi përgjegjës, i cili po mban ende pengje në një kafene në Sidnej
të Australisë, prej më shumë se 16 orësh, është identifikuar si Man
Haron Monis, ka bërë të ditur një zyrtar vendas për CNN.

Ai njihet gjithashtu si Sheikh Haron, një i vetëquajtur klerik musliman, i cili ka pranuar fajësinë gjatë vitit të kaluar se u kishte shkruar letra kërcënuese familjeve të anëtarëve të shërbimit australian, njoftojnë më tej mediat australiane. Për këtë akuzë, ai u dënua me 300 orë shërbim ndaj komunitetit.

Në vitin 2013, ai është akuzuar gjithashtu se ka qenë përfshirë në vrasjen e ish-gruas së tij, sipas lajmeve nga Australia, të cilat shtojnë se ai është liruar me kusht. Në prill të këtij viti, detektivë të krimeve seksuale kanë arrestuar Monis dhe e akuzuan atë për agresion seksual ndaj një gruaje, në rajonin perëndimor të Sidnejt gjatë vitit 2002, sipas “Sydney Morning Herald”.

Një tjetër akuzë me natyrë seksuale i është shtuar atij në lidhje me 6 viktima të tjerë të këtyre akteve. Policia – siç raportohet – ka thënë se Monis ka përdorur emrin Mohammad Hassan Manteghi, si dhe pretendonte të ishte një “shëronjës seksual”.

Në atë që dyshohet të jetë faqja e internetit e tij, ka një deklaratë ku ai pretendon se ka qenë viktimë e një hakmarrjeje politike.

Në biografinë e shkurtër në faqen e tij, ai vetëpërshkruhet si një klerik musliman dhe aktivist që jeton në Sidnej, i cili “ka qenë vazhdimisht pre e sulmeve dhe akuzave false nga qeveria australiane, si dhe media e këtij vendi, që kur ai nisi fushatën politike në vitin 2007”.

Në krye të faqes së tij ndodhet një foto grafike e fëmijëve të vrarë e poshtë saj shkruhet “kjo është një provë e terrorizmit të Amerikës dhe aleatëve të saj, përfshi Australinë. Rezultat i sulmeve ajrore të tyre”.

Top Channel