Prokuroria: Rigjykimi i Dajtit, i padrejtë. Vendimi i mbështetur në një preçedent të Gjykatës Europiane

15/12/2014 00:00

Prokuroria kërkon që Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda të rigjykojë të pandehurin Dritan Dajti, pasi – siç thekson organi i akuzës në rekursin drejtuar Gjykatës së Lartë, – atij nuk i është prekur asnjë nga të drejtat e tij dhe se gjykimi ndaj tij në Shkallën e Parë është në përputhje me ligjin.

Nëpërmjet këtij rekursi, Prokuroria replikon me argumentin se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin, si dhe nuk është bazuar në praktikën e Gjykatës Europiane, pikërisht në një rast kur një shtetas shqiptar ankohej se i ishte mohuar e drejta për t’u përfaqësuar nga një avokat.

Argumentit të Apelit për Krimet e Rënda, i cili prishi vendimin me katër burgime të përjetshme për Dritan Dajtin për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda, Prokuroria i përgjigjet me dy kundërshtime.

E para – thotë Prokuroria, – Gjykata për Krime të Rënda ka ndërmarrë të gjitha hapat për respektimin e parimit të mbrojtjes së të pandehurit. I pandehuri ka pretenduar se nuk ka pasur mundësi financiare, që të paguajë mbrojtës dhe, për këtë arsye, nga ana e gjykatës është kërkuar të caktohet avokat kryesisht.

Por, pavarësisht se është ezauruar e gjithë lista e avokatëve penalistë të Dhomës së Avokatisë, asnjë prej tyre nuk mori përsipër mbrojtjen e të pandehurit. Çka do të thotë – vijon Prokuroria – se gjykata nuk mund të mbajë përgjegjësi për neglizhencën apo abuzimin, që i pandehuri ka treguar mëse qartazi se nuk dëshironte të përfitonte nga e drejta për të pasur mbrojtje.

Së dyti, praktika tregon se gjykata duhej t’i referohej vendimit të 2005-s, “Balliu kundër Shqipërisë”, në të cilin i pandehuri pretendonte se i ishte mohuar e drejta për t’u mbrojtur, por Gjykata Europiane shprehet se në dispozicion të tij ishin vendosur të gjtiha mundësitë, por ai nuk i kishte shfytëzuar ato.

Top Channel