Rubla ruse humb sërish pikë, zhvlerësohet në nivele rekord

15/12/2014 00:00

Rubla ruse humbi sërish pikë ndaj monedhave të huaja duke regjistruar një tjetër rekord ndaj dollarit amerikan.

Këtë të hënë një dollar këmbehej me 60 rubla, që korrespondenti i BBC në Moskë e cilëson një barrierë psikologjike për monedhën ruse.

Nga janari i këtij viti, rubla është zhvlerësuar me 60 përqind kundrejt dollarit. Banka Qendrore ruse është përpjekur të ruajë qendrueshmërinë e monedhës duke blerë rublën nga tregjet dhe duke rritur interesat e kredive në 10.5 përqind.

Megjithatë, këto masa janë goditur nga rënia drastike e çmimit të naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare. Këto dy produkte përbëjnë mbi 50 përqind të eksporteve ruse dhe janë burimet kryesore të futjes së monedhave të huaja në tregun vendas.

Një tjëtër shqetësim është edhe inflacioni. Autoritetet ruse po dështojnë në mbajtjen nën kontroll të çmimeve dhe nga fundi i vitet pritet që ato të rriten akoma me 10 përqind.

Në nëntor, banka qendrore ruse shkëputi lidhjet jozyrtare me euron dhe dollarin në një përpjekje për t’u lënë dorë të lirë rublës si dhe njoftoi fundin e ndërhyrjeve automatike në mbrojtje të monedhës duke deklaruar se një gjë e tillë do të bëhej vetëm kur të konsiderohej e nevojshme.

Top Channel