Australi, forcat speciale i japin fund pengmarrjes

15/12/2014 00:00

Ndërhyrja e forcave speciale të policisë i ka dhënë fund pengmarrjes së disa dhjetëra vetëve në një kafene në Sidnej të Australisë, nga një person i identifikuar si refugjat iranian.

Mediat ndërkombëtare flasin për dy persona të vdekur, njëri prej të cilëve pengmarrësi dhe tjetri një peng, si dhe për disa të plagosur.

Sipas burimeve mediatike, gjatë ndërhyrjes së policisë
janë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime, ndërsa më pas kanë ndërhyrë edhe
ekipet mjekësore.

Zona qendrore e Sidnejit mbahet e bllokuar prej 15 orësh, kur dhe personi i armatosur mori peng njerëzit në kafene, mëngjesin e së hënës.

Në orët e para të pengmarrjes, pengjet u detyruan të mbanin një baner të zi islamik tek xhamat e kafenesë, që ndodhet në Martin Place, një qendër tregtare e populluar e qendrës financiare të Sidnejit.

Kryeministri Tony Abbott u shpreh “thellësisht i tronditur që njerëzit po mbaheshin peng nga një person i armatosur, për motive politike”.

E teksa të shtëna dhe shpërthime janë dëgjuan, pengje të ndryshme janë parë të dalin nga kafeneja me duart lartë dhe të shoqërohen në vende të sigurta.

Pikërisht pas këtij momenti, të shtënat janë intensifikuar. Policia është parë të transportojë një grua nga vendi i ngjarjes, teksa binte edhe alarmi.

Pengmarrësi, 49-vjeçari Man Haron Monis, kishte fituar azil politik në Australi në vitin 1996 dhe ishte liruar me kusht pasi ishte dënuar për një sërë akuzash. Ish-avokati i tij e ka cilësuar atë si një person të vetmuar.

Top Channel