Fllanxa Murra: Jeta ime 15 vite pa këmbë

15/12/2014 00:00

Fllanxa Murra është 25 vjeç, por jeta nuk ka qenë e drejtë me të. 15 vite më parë, vajzës nga fshati Zallshoshaj i rrethit të Matit i ndryshoi jeta rrënjësisht, ku pas shpërthimit të një mine asaj i humbën të dyja këmbët.

Ishte 10 vjeç kur ndodhi ngjarja tragjike. Fllanxa po kulloste bagëtitë, bashkë me moshatarët e saj, kur këmbët i shkelën në minën e mbetur në përrua, nga koha e hapjes së depove në vitin famëkeq 1997. Që prej asaj kohë, vajza u detyrua të jetonte e izoluar në një dhomë.

Me sakrifica të mëdha, prindërit e saj bënë të mundur që ajo të përfundojë gjimnazin, dhe sot ka fituar njohuri të mira të anglishtes dhe kompjuterit. Por që për shkak të rrethanave nuk i vë dot në zbatim.

“Jeta ime është shumë e vështirë, sidomos tani që jam rritur e jam bërë 25 vjeç. Nuk kam shumë shoqëri, për të dalë apo gjëra të tjera si çdo njeri normal, rri gjithë kohën këtu në dhomë, me një kompjuter, por nuk dal fare”.

Nëna e Fllanxës thotë se, që nga dita e aksidentit nuk ndryshoi vetëm jeta e vajzës, por e gjithë familjes. Gruaja flet me dhimbje për të ardhurat e pakta, që fiton nga toka. Nuk ka asnjë mundësi të përmbushë nevojat e vajzës së saj invalide. Ndërsa nga shteti nuk ka përfituar asgjë, madje as transportin për shkollën e fëmijëve, ku përveç Fllanxës, të tjerët kanë mbaruar vetëm arsimin bazë.

“Për Fllanxën më dhemb shpirti si nënë, ajo kërkon të ketë një jetesë më të mirë, që të mos mërzitet. Më thotë shpesh herë se gjërat janë gjithsesi mirë sa të jem unë gjallë, por më pas kush do ta ndihmojë atë? Si mund ta kalojë ajo jetën këtu, buzë lumit?”, thotë e ëma.

Prej vitesh, as babai i Fllanxës, Qazimi, e as djali i madh 22-vjeçar nuk po gjejnë dot punë në qytet. E vetmja e ardhur mbetet pensioni i Fllanxës, 9700 lekë, si dhe kujdestaria e nënës së saj.

“Ka rënë puna, ka rënë çdo gjë. Mezi gjej punë për djalin, për punë dalim përditë por s’ka. Për vete e kam edhe më keq për të gjetur”, thotë i ati.

25-vjeçarja ka shumë ëndrra, të cilat çdo ditë shuhen nga pamundësia ekonomike për t’i realizuar. Edhe dhoma, ku ajo zgjohet çdo ditë, i kujton se sa larg tyre ndodhet. Muret me lagështi, mobiljet e vjetra, apo ëndrra për t’u veshur nuse si motrat e saj, të cilën beson se nuk do ta realizojë kurrë. Padrejtësisht jeta i ka rrëmbyer çdo mundësi e shpresë për të vazhduar përpara.

Top Channel