Reportazh për Vlahënin e Dobrunin

15/12/2014 00:00

Lufta e vitit 1999 tashmë është vetëm një ngjarje e së shkuarës për të gjithë botën, por kurrsesi për Gazmir Muhadin, i cili është 32 vjeç. Ai nuk është nga Kosova e kurrë nuk mori pjesë në luftime, por pasojat e tyre do t’i bartë gjithë jetën.

Fatkeqësia e tij është e të qenurit banor i një prej fshatrave kufitarë me Kosovën, nga Vlahëni, trojet e të cilit nuk i shpëtuan minimit të serbëve. Ishte 18 vjeç dhe, si shumë të rinj të fshatit, po kulloste bagëtitë.

“Isha duke kullotur bagëtitë. Ato ranë në minë dhe copat e saj më prekën edhe mua që isha prapa, përveç se dëmtuan bagëtitë”, thotë Gazi.

Të njëjtin fat ka pësuar edhe Bardhyli, një tjetër banor i fshatit Vlahën. Bardhyli ka qenë 20 vjeç në vitin ’99.

“Kam qenë me bagëti, më 15 korrik të atij viti”.

35-vjeçari humbi këmbën në këtë aksident.

“Nuk e dija fare që vendi ishte i minuar, vetëm kur më hodhi pas dhe pashë këmbën e djathtë të këputur”, thotë Bardhi.

Ndërsa Gazi ka humbur shikimin në njërin sy dhe pjesërisht në tjetrin. Por kjo është vetëm ana e dukshme e pasojave të ngjarjes së 15 viteve më parë.

“Jam disi më i frikësuar. Nuk mund të rri më normal me njerëzit që prej asaj kohe, ishte diçka e papritur që më ndodhi dhe tani ndihem jo i qetë”, thotë Gazi.

Përveç gjymtyrëve, pasivisht lufta u ka marrë këtyre të rinjve mundësinë për të jetuar normalisht jetën.

“Mundohem të bëj ndonjë punë shtëpie të vogël, pasi për punë diku tjetër nuk bëhet fjalë”, shprehet Gazi.

Ata të dy janë të martuar e kanë nga dy fëmijë, por nuk mund të plotësojnë dot nevojat e familjeve të tyre.

“Na e ka bërë jetën shumë të vështirë. Nuk kam si të punoj, sepse mezi qëndroj në këmbë për vete”, thotë Bardhi.

Lëmë pas Vlahënin me traumat dhe ngjarjet e luftës dhe zhvendosemi në një tjetër fshat të Hasit, në kufi me Gjakovën, në Dobrun. Aty ku gjithashtu nuk janë të paktë të mbijetuarit e minave, si pasojë e ngjarjeve famëkeqe. Xhemal Mula, kryeplaku i fshatit tregon:

“Këtu janë 16 të lënduar gjithsej, nga të cilët 6 kanë marrë dëmtime të rënda në gjymtyrë: me këmbë apo krah të këputura”, thotë kryeplaku.

Edhe pse ritmi i jetës në këtë zonë shqiptare është shumë i ngadaltë dhe i varfër, nata zë shumë shpejt tani buzë dimri. Banorët nxitojnë të përfundojnë punët e ditës e të struken qosheve të tyre, e bashkë me ta edhe Korab Mulaj, një prej të mbijetuarve të fshatit Dobrun nga minat. Ai ka kaluar gjithë ditën në male me tufën e gjësë së gjallë, e vetmja punë që arrin të bëjë, edhe pse me shumë mundim.

“Mua më ka ndodhur aksidenti më 15 qershor të vitit 2000. Isha duke kullotur lopën, kur duke ecur më kap këmba në minën e parë duke u dëmtuar në të, por më e keqja është se rashë me duar në të dytën”, thotë Korabi, i cili jeton pa dy gjymtyrët e sipërme.

Edhe pse territorialisht të përjashtuar nga lufta, në njëfarë mënyre edhe banorët e këtij fshati janë viktima të pasojave të saj.

“E gjithë kjo pjesë ka qenë e minuar”, thotë kryeplaku.

Kadri Mulaj është një tjetër i mbijetuar i minave. Por, ndryshe nga të tjerët, momentin e aksidentit ai gjendej në detyrë.

“Isha me shërbim te varrezat e doganës. Shpërtheu popullsia e donte të kalonte kufirin për të shkuar nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa ne ishim me shërbim. Kam humbur rreth treçerekun e këmbës”, thotë ai.

Të gjymtuar, pa shpresë dhe të dërrmuar nga kujtimet e aksidenteve, këta persona janë krejtësisht të pambështetur dhe të shpërfillur nga shteti.

“Mbështetje nuk kanë fare nga askush. Se si jetojnë ata, ndoshta me ndonjë bagëti që i mban familja, se edhe ata s’kanë mundësi të jetojnë vetë. Kemi një rast këtu me të dy duart e këputura, kush e ndihmon atë? Është e kuptueshme se si jeton ai me një pension shumë të vogël që i japin”, thotë kryeplaku.

Nuk marrin pension invaliditeti, sepse ligji shqiptar nuk e parashikon këtë gjë për kategorinë e tyre. Ndaj vështirësitë për mbijetesë janë vërtet të tejskajshme. Korabi është i martuar. Ka një vajzë dhe një djalë të porsaardhur në jetë. Ndërsa Kadriu jeton veti i pestë në familje, me një pension minimal.

“E kemi shumë të vështirë, mendojeni vetë pa duar, pa ndihma. Shteti duhet të kujdeset pak për ne”, thotë Korabi.

“Pa këmbë apo pa duar ku mund të gjesh punë?”, thotë Kadriu.

Mes sakrificave dhe përpjekjeve për t’i mbijetuar varfërisë, trauma e banorëve të fshatrave Vlahën e Dobrun ende nuk e largon dot frikën nga një kërcënim, që kushedi se kur do të zhduket.

“Jetojmë ende me frikë i gjithë fshati, edhe pse jo në masën e kohëve të mëparshme”, shprehet Bardhi.

“Kam punuar 10 vjet me pastrimin e zonës, kanë qenë shumë të minuara, ndërsa tani… Ende nuk mund të thuash që është pastruar 100%. Barinjtë nëpër pyje kanë gjetur sërish mina. Mund të them se është diku te 90% e pastruar”, thotë kryeplaku.

Top Channel