Fundim Gjepali, “një lugë e artë” shqiptare në Romë

15/12/2014 00:00

Ai është nga Shijaku. Ka ikur në Itali kur kishte 14 vjeç, në vitin 1996. Ka bërë shumë kurse kuzhine, jo shkollë, dhe sot është një ndër shefat e kuzhinës më të vlerësuar në Itali. Është shef kuzhine në një restorant të njohur në mes të Romës dhe drejton punën e më shumë se 10 kuzhinierëve të tjerë.

“Nuk gatuaj, por eksperimentoj, korrigjoj recetat. Në restorantin tonë recetat shkruhen, nga masat e sakta të përbërësve, e deri te të gjitha hapat që ndiqen për realizimin e saj. Asgjë nuk bëhet me sy, sepse dua që nëse dikush ha një pjatë që i pëlqen, ta gjejë njësoj edhe herën e dytë, e jo të thotë ‘ishte më mirë, apo më keq, apo ndryshe herën e parë’. Ndërrimi i një pjate në meny nuk është shumë i shpeshtë dhe aq më pak i shpejtë: duhet rreth një javë, që mendimi për një pjatë të re të kthehet vërtet në një pjatë të re të futur në meny. Menyja ndërrohet rreth shtatë-tetë herë në vit, kryesisht në varësi të stinëve”, thotë ai.

Fundim Gjepali, shefi ekzekutiv i restorantit “Antico Arco”, është vlerësuar në mars të këtij viti me çmimin e parë në “Çmimin e Madh Ndërkombëtar të Kuzhinës Mesdhetare”. Juria teknike me 7 anëtarë, e përbërë nga shefa të mëdhenj kuzhine, kritikë të njohur kulinarie dhe përfaqësues federativë të kuzhinierëve, e kryesuar nga shefi i shumëvlerësuar Michele Deleo, ka vlerësuar gatimet e 12 konkurruesve nga 11 vende prej tri kontinenteve të ndryshme: Evropë, Afrikë dhe Amerikë. Fundimi fitoi me gatimin e “mishit të qengjit në kore lajthish”.

Ai është shumë i ndjeshëm ndaj emigrantëve shqiptarë dhe gjuhës shqipe. Pak kohë më parë, bashkë me shefin Altin Prenga, në restorantin e këtij të fundit, kanë shtruar drekë për mbledhje fondesh për blerjen e Abetareve për bijtë e emigrantëve në Itali.

Top Channel