Basha: Nuk do ta njohim kurrë ndarjen e re

15/12/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka preferuar të komentojë vendimin e gjykatës, por e ka cilësuar hartën e re territoriale si një ndarje torte elektorale nga dyshja Rama-Meta.

“Nuk jam këtu për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse këtë nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj kurrë, edhe pse këtë herë na u njoftua me Tëitter nga kryeministri. Por përsëris se harta territoriale Rama-Meta u miratua pa konsensusin e opozitës, pa atë të qytetarëve, pa pasur parasysh rekomandimet e institucioneve vendase e ndërkombëtare, për arsye se nuk është një ndarje territoriale por një tortë elektorale”, deklaroi Basha.

Basha theksoi edhe njëherë qëndrimin e PD-së se është kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe se do të ndjekë të gjithë hapat e mundshëm për kundërshtimin e saj, duke nisur që nga mbledhja e firmave për referendume e duke mos përjashtuar as protestat.

“PD nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë tortë të dyshes Rama-Meta. Ne do ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë e demokratikë për të vendosur interesin e qytetarëve mbi këtë çështje dhe për t’u kujtuar oligarkëve se pronarë të vendit nuk janë ata, por sovranët që shprehen e vazhdojnë të shprehen. 70 mijë firma janë mbledhur dhe PD do të jetë pranë protestës së tyre legjitime kundër kësaj maskarade”, shtoi Basha.

Top Channel