Qeveria: Vendimi i Kushtetueses çtensionon situatën

15/12/2014 00:00

Qeveria e cilëson vendimin e Gjykatës Kushtetutese një moment pozitiv jo vetëm për vënien në funksionim të këtij ligji, por edhe në aspektin politik, për çtensionimin e situatës dhe rikthimin e PD tek procesi.

“Kemi një lajm shumë të mirë dhe një moment reflektimi për opozitën, që t’i bashkohet axhendës parlamentare dhe të diskutohet për zgjedhjet e ardhshme vendore”, deklaron ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuci.

Vendimi i gjykatës i hap rrugë edhe dy proceseve të tjera, që lidhen me zgjedhjet vendore, reflektimin e kësaj ndarjeje edhe tek ligji për pushtetin vendor dhe Kodin Elektoral.

“Të dyja draftet dhe ndryshimet janë gati. Janë ndryshime thjesht teknike që përshtasin kodin dhe ligjin me ndarjen e re. Është pritur vetëm konsensusi i opozitës, pasi duke qenë në bojkot ne nuk kemi nxituar që t’i miratojmë ato pa të. Vendimi i gjykatës i hap rrugë këtij procesi”, vlerëson Çuci.

Por çdo të bëjë mazhoranca nëse PD i mbetet vendimit për të mos e njohur hartën e re territoriale.

“Është në çmimin e tyre për të gjetur rrugën për të qenë prezent në politikë dhe për të përfaqësuar atë pjesë të shoqërisë. Nuk është detyrimi ynë t’i fusim me forcë në një proces nëse nuk duan. Detyrimi ynë është që çdo veprim ta kemi të ligjshëm. Pas konfirmimit nga Kushtetuesja, opozita nuk ka më legjitimitet të thotë se ka qenë një proces i paligjshëm, në shkelje me Kushtetutën dhe parimet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje”, shtoi Çuci.

Top Channel