“Grand Gala 2015”, toleranca…

15/12/2014 00:00

Janë përgatitjet e fundit të “Grand Gala” që do të zhvillohet të mërkurën në orën 20.00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, event ky i përvitshëm i  kthyer tashmë në traditë i organizuar nga Top Channel dhe Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha.

Muzikë tërësisht shqiptare këtë vit, e luajtur nga orkestra e Top Channel dhe ajo e TKOB dhe disa nga këngëtarët më të mirë të muzikës moderne e lirike.

Dorian Gjoni, drejtues muzikor: Do të kemi artistët më të famshëm shqiptarë, si Rina Bilurdaku, Elhaida Dani, grupi Jericho. Do të kemi këngëtarë të muzikës klasike si Etleva Golemi dhe Kastriot Tusha. Orkestracionet do të jenë në një mënyrë klasike. Do të ketë edhe versione moderne. Muzika shqiptare e viteve të fundit dhe ajo e mëhershme do të jetë pjesë e kësaj galaje. Konkretisht do të kemi këngët më të famshme si “Valsi i Lumturisë”, “Mall për Mëmëdhenë”, do të kemi këngë moderne që i kemi përpunuar siç është kënga fituese e Top Fest e Alban Skënderaj, “Vetëm Ty”.

Eva Golemi, soprano: “Ne do do të vijmë me tre duete; “Mu në bahçen tënde”, “Valsi i Lumturisë” dhe “Duam më shumë Shqipërinë”. E veçanta e këtyre dueteve është se gjithmonë janë kënduar solo, por kësaj radhë vijnë në duet dhe në kor, që është shumë e bukur.

Kastriot Tusha, tenor: Janë tre materiale që do të interpretohen në duet, sepse gjithmonë janë interpretuar solo. Por edhe në formën e orkestracionit janë ndërtuar ndryshe. Është një këngë, “Mu në bahçen tënde”, që gjithë ballkani vlon se e kujt është. Faktikisht ne e njohim si një këngë të vjetër beratase dhe është një kompozitor Gerti Druga që ka bërë një orkestracion që mendoj se do të jetë një risi për mbrëmjen.

Një mbrëmje argëtuese, por edhe me tematikë e mesazhe ndërgjegjësuese. Tema e zgjedhur për këtë vit është toleranca, nisur nga shembulli i Malbardhës, ku banorët në shumicë myslimanë ndërtuan një kishë për banorët e tjerë të fshatit të cilët janë të krishterë, një shembull i shkëlqyer i tolerancës fetare.

Galaja do të përmbajë edhe mesazhe ndërgjegjësuese të shkruara nga shkrimtarë vendas në lidhje me tolerancën në përgjithësi, të cilat do të lexohen nga aktorë të njohur.

Gjatë mbrëmjes do të jepet edhe çmimi “Dritan Hoxha”, i cili shkon për një personazh i cili ka dhënë kontribut të veçantë në fushat social-kulturore gjatë vitit 2014.

Të ardhurat e biletave do të shkojnë për ndërtimin e rrugës që të çon në Malbardhë.

Biletat gjenden prane Top Channel, te Piramida.

Top Channel