Fiksi zbardh një tjetër skandal në drejtësi

15/12/2014 00:00

Fiks Fare nga kjo e hënë e në ditët në vazhdim do të sjellë një tjetër skandal në drejtësinë shqiptare.

Një qytetar nga Velipoja kërkon ndihmën e Fiks Fare duke denoncuar avokatin e tij pasi prokuroria pushoi akuzat e ngritura. Avokati i kërkon 5 mijë euro në emër të gjyqtarëve për ta liruar nga burgu.

Ku shkuan 5 mijë eurot dhe si u manipulua dosja e qytetarit nga Velipoja që iu drejtua Fiks Fare pasi prokuroria pushoi çështjen?

Vetë qytetari nga Velipoja rrëfen për Fiksin se si janë marrë 5 mijë eurot dhe se si i është lutur avokati që të mos e denonconte pasi kishte lidhje miqësie me prokurorin e arrestuar më parë për skandalin në Gjykatën e Pukës.

“Tha mos bëj denoncim se do t’i kthej lëkët. Për punë 10 ditësh më kanë ardhur 2 mijë euro, lekët që avokati m’i kishte borxh. Pranoj që i kam marrë këto lekë”, rrëfen qytetari nga Velipoja.

Bashkëshortja e të dënuarit ishte ajo që i dorëzoi paratë avokatit. Ajo rrëfen se si u ndanë ato.

“Në 2012 më ra burri në burg për një konflikt toke. Kemi marrë avokat Ndrek Lukën dhe më tha që duhen 1 mijë euro për shortin. Ja kam çuar me vëllain. Më ka marrë në telefon për ta takuar. Më ka thënë më duhen 5 mijë euro, ose përndryshe nuk e lirojnë. Më ka thënë se nëse i jep lekët asnjë ditë burg nuk e bën. Pas një viti është kthyer nga gjykata e Apelit dhe 15 muaj brenda. Kemi kërkuar lekët tona. Ka marrë pesë mijë euro, 2 mijë për vete, 2 mijë për një tjetër dhe 1 mijë për shortin. Më pas e ktheu apeli dhe kërkuam lekët tona sepse nuk na ke mbaruar punë. Ai na ka thënë se lekët e veta do na i kthente dhe i ktheu 2 mijë euro, ka edhe 3 mijë euro”, thotë ajo.

Pas këtyre denoncimeve, Fiks Fare vendosi të investigojë me kamerat e tij.

Takimi i parë me avokatin:

Bashkëshortja e të dënuarit: Desha të di a t’i kam dhënë të tëra lekët, se më ka thënë jo i ke harxhuar.

Avokati: Jo të tëra lekët m’i ke dhënë, 5 mijë euro. Është mbyllur ajo punë. E kam pushuar çështjen në gjyq atë ditë unë, është asgjësuar. Nuk ka asnjë problem, asnjë problem nuk ka. Janë mbyllur të tëra punët.

Në takimin e dytë Avokati: Tani, ai të gjitha lekët nuk ua kam kthyer, duhet ta kuptpni. A më kuptoni?

Fiksi: Këtu ka lindur debati, se kjo thotë ja ke dhënë për gjyqtarin, ai thotë nuk ja ke dhënë.

Avokati: Si të shkon mendja se është liruar ky po të mos manovroja unë. Kaq di të them!

Bashkëshortja e të dënuarit: Si është liruar?

Avokati: Prisni të them që ja kam dhënë gjyqtarit?! Unë them gjithmonë jo. Është puna jonë ajo punë, një avokat nuk mundet të thotë që ja jep gjyqtarit.

Bashkëshortja e të dënuarit: Duhet të më thuash se unë për atë punë t’i dhashë paratë.

Avokati: Po për Zotin m’i ke dhënë lekët dhe t’i kam kthyer. Të gjitha nuk t’i kam kthyer se disa m’i keni lënë mua, duhet ta pranojmë. Ti e di me keni dhënë një fije më shumë. Tani unë legen nuk mundet të bëhem. Iku edhe Ndrek Luka. Të tëra lekët që ka harxhuar nuk ja ka kthyer kush.

Bashkëshortja e të dënuarit: 2 mijë euro na ka dhënë tani që kemi bërë deklaratë.

Avokati: Po të tjerat jua kam dhënë unë pjesë-pjesë. Për Zotin mos më lodhni më. Nuk jam sot në ditë për t’u lodhur. Unë nuk ja kam kthyer të tëra lekët. Ai më ka lëshuar prokurë për të më ndihmuar mua.

Bashkëshortja e të dënuarit:
Jo more se të kam thënë edhe ty se 2 mijë euro më pate thënë për atë.

Avokati: O Zot! Lëri çfarë kemi thënë. Unë s’i përmend më ato fjalë, t’i kam besuar ty. Tani kujt ja mban më.

Bashkëshortja e të dënuarit: Mua më ka thënë Ndreka, kam dhënë 2 mijë euro për gjyqtarin, dy mijë euro…

Avokati: 3100 euro të kam kthyer. Boll moj burrnesh! A m’i ke dhënë lekët? Tani se ku i kam çuar unë, se s’i shpërndahen atë e di avokati. Pse doni të më dërgoni në një gradë, se unë tani i druhem hijes time.

Takimi me Avokatin në Velipojë

I dënuari: Ti je tallur me mua Ndrek. Sa lekë i ke marrë gruas? Ja ke marrë 2 mijë euro për…, 2 mijë euro për tjetrin?

Avokati: 2100 euro ja kemi dhënë gruas, i kemi të shënuara. 1700 euro t’i kam kthyer atë ditë dhe 5 mijë lekë (të vjetra) a t’i kam kthyer?

I dënuari: 2 mijë euro ke kthyer.

Fiks Fare vazhdon me denoncimin e skandalit edhe të martën     

Top Channel