Zyrtari i DASH në Tiranë, takim me Presidentin Nishani dhe deputetët

15/12/2014 00:00

Drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, Thomas Yazdgerdi takoi në Tiranë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit e partive politike.

Në një njoftim të Presidencës, thuhet se kreu i shtetit i shprehu zyrtarit amerikan, mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe  në arritjen e standardeve të nevojshme për të qenë vend anëtar i NATO-s.

Duke u ndalur te lufta kundër terrorizmit, kreu i shtetit theksoi se, jemi shumë të angazhuar në përballimin e sfidave lokale dhe rajonale që burojnë nga lufta kundër terrorizmit. Pas këtij takimi, drejtori i DASH, u drejtua për në selinë e Partisë Demokratike, ku i shoqëruar nga zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe i ngarkuari me punë i delegacionit të BE-së në Tiranë, janë takuar me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Në orët e mbrëmjes drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, zhvilloi një darke pune, me disa deputet të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, mes tyre Oerd Bylykbashi, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Valentina Leskaj, Ben Blushi e Taulant Balla.

Nuk ka informacion për çfarë është biseduar me përfaqësues të të dyja palëve në një prej restoranteve të Tiranës në prani të zyrtarit amerikan, ndërsa prej ditësh po negociohet një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës me ndërmjetësimin e eurodeputetëtëve për të kthyer opozitën në Parlament. Vetë deputetët e pranishëm thanë se ka qenë një darkë punë dhe u fol për zhvillimet politike, por jo për një marrëveshje.

Gjatë ditës së martë pritet që Parlamenti Europian, përmes dy ndërmjetësuesve, Flekenshtajn dhe Kukan të publikojë një deklaratë mbi negociatat e deritanishme dhe nëse palët janë afër marrëveshjes për tejkalimin e ngërçit politik.

Top Channel