Pronat dhe si po i japin zgjidhje këtij problemi institucionet ka qenë tema e takimit të kësaj të hëne në emisionin “Shqip” në Top Channel.

Të ftuar në panelin e gazetares Rudina Xhunga kanë qenë drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, drejtoi i ALUIZNI-t Artan Lame, ai i Zyrës së Regjistrimit të Pronave, gazetari Enio Civici, etj.

Qato: Po ngremë në këmbë AKKP-në, po ofrojmë zgjidhje

Në fjalën e saj, zonja Qato ka vënë fillimisht në dukje gjendjen e degraduar ku gjeti institucionin në momentin që mori drejtimin e tij.

“Kur morëm drejtimin e institucionit situata ishte shumë e rëndë, jo vetëm për 8 vitet e kaluara, por edhe më parë. Hapat e parë që ndërmorëm ishte skanimi i situatës dhe statistikat e qarta për menaxhimin e këtij procesi në 23 vjet”, ka thënë Qato.

Sipas saj, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave ka qenë i bllokuar që prej 93-shit, gjë që ka lënë pasoja edhe në ditët e sotme.

“Instituti nuk ka qenë në gjendje të ofronte një zgjidhje, por ka qenë në një kaos real, që është vështirë t’i japësh një zgjidhje konkrete”, ka vijuar Qato.

Një prej përbërësve të këtij kaosi ka qenë sipas saj problemi me dosjet. “Ne nuk gjetëm dosjet në vendin e duhur. Gjetëm dosje ku letrat ishin shkëmbyer me njëra-tjetrën dhe të tjera ku brenda letra nuk kishte fare. Kjo tregon se çështja është menaxhuar në një papërgjegjshmëri totale”, ka thënë Qato.

Sipas saj, numri i dosjeve me materiale të falsifikuara është i madh dhe në AKKP po bëhen kontrolle për të eleminuar dokumente të tilla.

“Në 23 vjet nuk u trajtua ky problem i shqiptarëve. U dhanë qytetarëve nga një letër në dorë dhe vetëm kaq. Askush nuk llogariti dëmin ekonomik që po i shkaktohej shtetit. Por, me transparencën e regjistruar gjatë këtij viti nuk do të ketë më asnjë specialist nga stafi që do të fshehë dosjet e subjektit”, ka shtuar Qato.

Lame: Rënie drastike e ankesave pranë ALUIZNI-t

Në të njëjtën linjë, edhe drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame e ka vënë theksin tek nevoja e vullnetit politik për të zgjidhur problemin. Ai ka nënvizuar se falë punës intensive të administratës është bërë e mundur që në muajt e fundit të bien ndjeshëm ankesat e qytetarëve pranë këtij institucioni.

“Nuk dua t’i hyj situatës ku ishte institucioni. Po them vetëm një shifër, në dy muajt e fundit ankesat kanë rënë në mënyrë drastike. Nga 1 milion e gjysmë arritën në 52 mijë ankesa. Që do të thotë se ishte një masë e dëshpëruar njerëzish që më parë ishin mashtruar nga stafi”, ka thënë Lame.

Sipas tij, fakti që fillimisht pati dyndje ankesash të cilat më pas shkuan drejt rënies tregon që situata po ndryshon. Një nga aspektet ku po reflektohen këto ndryshime është sipas tij reduktimi i ndërtimeve pa leje.

“Ka një rënie drastike të ndërtueshmërisë pa leje dhe kjo tregon se njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen. Janë të bindur se kjo qeveri i ka marrë seriozisht gjërat dhe se nuk mund të vazhdohet më me ilegalitet”, ka vijuar Lame, i cili u ka dhënë një mesazh qytetarëve nga ekrani.

“Në prag të fundit të vitit, kur përfundon dhe afati i vetëdeklarimeve, unë u bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me qetësi paraqitjen në sportelet tona”, ka shtuar Lame.

Muho: Përfunduam fazën e parë të regjistrimit të pronave

Ndërsa drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pronave, Ilirian Muho, në fjalën e tij ka deklaruar se procesi i regjistrimeve ka lëvizur me ritme optimiste që nga ndryshimi i administratave.

Muho ka vlerësuar se për shkak të keqmenaxhimit të mëparshëm, ZQRPP kishte krijuar në radhët e opinionit publik perceptimin e një institucioni të korruptuar deri në qelizë.

“Për ta konkretizuar situatën më qartë do jepja si shembull rastin që para pak kohësh zyrat tona i vizitoi nëndrejtorja e Bankës Botërore. Ajo kërkoi t’i inspektonte dhe ne zbritëm në zyrat e Tiranës. Mua më vinte turp t’i tregoja në ç’situatë ishte institucioni, por isha i detyruar t’ia tregoja sepse nevoja për ndryshim ishte imediate. Hartat ishin të vjetra e të grisura dhe kjo gjendje krijoi përshtypjen se vetëm informacione nuk mund të merreshin. Por situata tani po ndryshon dhe lëvizja kyçe e këtij ndryshimi ishte çentralizimi i këtij sistemi, përmes dixhitalizimit dhe ne kemi përfunduar fazën e parë të regjistrimit të pronave”, ka thënë Muho.

Kadia: Problemi, më kompleks se reformimi administrativ

Paksa më skeptik se parafolësit është shprehur Besart Kadia nga Forumi për Lirinë Ekonomike, sipas të cilit masat administrative të marra nga institucionet janë të pamjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje problemit të pronave në Shqipëri.

Në fjalën e tij Kadia ka vlerësuar se masat e marra nga AKKP-ja dhe ALUIZNI mund të ofrojnë një zgjidhje të momentit, por jo një afatgjatë që të lehtësojë këtë problem që torturon shqiptarët që prej fillimviteve ’90.

“Shqetësimi im është ky: a janë qytetarët të qartë se ç’do të ndodhë me pronat e tyre në 5 vitet e ardhshme? Masat aktuale të shtetit janë masa të përkohshme dhe nuk do t’i zgjidhin problemet me pronat. Problemi është shumë më i thellë”, ka thënë Kadia.

Pjesa e dytë nisi me pyetje të shikuesve sa i përket shtrirjes së INUK-ut edhe në qytetin e Fierit. Kësaj pyetjeje iu përgjigj kreu i ALUIZNI-it, Artan Lame, i cili tha se problem janë ndërtesat e legalizuara në mënyrë abuzive dhe të cilat kanë kosto për buxhetin e shtetit.  “Lumi Gjanica, në Fier është një projekt i shkëlqyer për sistemimin e tij, për ta bërë lumin pak a shumë si Lana dhe pengesa numër 1 janë ndërtimet e legalizuar përgjatë bregut të lumit. Nga xhepat tanë do të dalin para për të shpronësuar, kjo ka qenë pengesa kryesore për projektin në atë qytet. Nuk është kënaqësi të shohësh shtëpi të prishen, por nuk ka zgjidhje kjo punë. Nëse duam të krijojmë hapësira, kjo është një dhimbje që do ta kalojmë dhe njerëzit të kuptojnë që nuk duhet të ndërtojnë më si të duan dhe ku të duan”, tha Lame.

Ilirjan Muho u ndal tek çështja e regjistrimit të pronave. Ai tha se ka mbivendosje dhe se që nga ’93 e deri në 2014 për shkak të mungesës së rakordimit të institucioneve shtetërore, ka prona që janë tjetërsuar.

Muho u ndal edhe tek shërbimet dhe tek dixhitalizimi i tyre, i cili vlerësoi ai, ka përshpejtuar shërbimin.

“Ka vonesa në shërbim për shkaqe objektive dhe shkaqe subjektive. Në shtator të 2013 sistemi kompjuterik ishte instaluar në 5 zyra, sot kemi një sistem elektronik në 35 zyrat tona vendore. Qytetarët besoj janë duke e prekur ndryshimin dhe ky proces ka ndikuar në rritjen e transparencës. Kur aplikimi bëhej në mënyrë manuale dokumentacioni nuk inventarizohej”, tha ai.

Gazetari Enio Civici ngriti shqetësimin e hartave të ndryshme që punojnë institucione të ndryshme që lëshojnë tituj pronësie. Këtij shqetësimi Muho tha se i jepet fund me një AlPost.

“Fakti që punohet me harta të ndryshme, krijojnë probleme për pozicionimin gjeografik të pronës së qytetarit. Në momentin kur hidhet në hartat tona krijohet mbivendosja. Zgjidhja është Alpost, që do të orientojë të gjithë institucionet që në momentin e prodhimit të hartave të bazohen tek të dhënat e këtij sistemi. Sistemi është aktiv dhe thjesht duhet të përdoret nga institucionet. Të dhënat që prodhojmë të kenë pikë referimi këtë sistem”, deklaroi Muho.

Një tjetër shqetësim i shikuesve shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale ishte edhe toka bujqësore e shndërruar në truall. “Automatikisht është i ligjshëm sepse kalimi i statusit nga tokë bujqësore në truall ndërtimi është i parashikuar nga ligji dhe një nga këto mënyra është edhe legalizimi. Pra në momentin që e ka njohur si pronë, ajo parcelë shndërrohet në truall”, tha Lame.

Një ndër zonat më shqetësuese për cështjen e pronësisë është edhe bregdeti, sidomos pjesa Vlorë-Sarandë. Drejtoresha e AKKP Sonila Qato tha se problemet më të mëdha janë me origjinën e pronës.

“Bregdeti ka probleme me orgjinën e pronës, është tepër e vështirë që qytetarët të kenë dëshmuar origjinën e pronës. Pjesa më e madhe e kullotave dhe pyjeve janë të pashoqëruar me dokumentacion të vjetër ndaj kjo është zona më e nxehtë sa i përket cështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave dhe për shkak të kompensimit fizik në disa në mënyrë arbitrare që është bërë deri më tani. Duhet marrë rast pas rasti zgjidhja e këtyre. Ligji parashikon kompensim fizik, financiar dhe një sërë kompensimesh të tjera. Ne për momentin kemi parë që kompensimi nuk është trajtuar fare dhe atje ku është trajtuar është trajtuar në një volum shumë të pakët. Kemi nisur nga puna për një proces reformues për t’i dhënë mbyllje dhe një reformë që do t’i japë zgjidhje cështjes së kompensimit të pronarëve. Qeveria ka angazhuar grupe pune që po bëjnë inventarizimin e pronës shtetërore ku do të përfitojnë pronarët për kompensim fizik. Do krijohet një mekanizëm i ri efektiv për t’i dhënë zgjidhje shpërblimit të drejtë për pronarët. Do jetë proces i gjatë, por do të ketë një afat kohor të caktuar dhe pronarët do të trajtohen në mëmyrë të barabartë”, tha Qato.

Në pjesën e tretë vëmendja u zhvendos tek legalizimet e pallateve. Në kryeqytet tha Muho, janë mbi 11 mijë objekte banimi dhe biznesi që janë regjistruar.

Top Channel