Ka nisur këtë të martë në Beograd samiti i Kinës me vendet e Europës Juglindore. Kjo ngjarje e rëndësishme ka mobilizuar gjithë sistemin shtetëror të Serbisë. Në të është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Rreth 7 mijë policë po kujdesën për mbarëvajtjen e këtij samiti, i cili ka rreth 6.600 pjesëmarrës, përfshirë kryeministrat dhe delegacionet e vendeve të ndryshme.

Kryeministri kinez mbërriti në kryeqytetin serb mbrëmjen e së hënës, ku zhvilloi edhe një takim me homologun e tij Vuçiç. Por për atë që është biseduar nuk pati asnjë njoftim nga zyrat përkatëse.

Samiti ka nisur punimet me një forum ekonomik, ku po marrin pjesë mbi 500 biznese kineze, të interesuara për investime në rajon.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka mbërritur në Beograd rreth orës 11:00. Ai është vendosur në hotelin “Falkensteiner”, në Beogradin e Ri dhe më pas do të vazhdojë takimet e tij zyrtare.

Gjatë ditës zoti Rama do të takohet me zyrtarë të qeverisë Çeke, ndërsa të mërkurën do të takohet me Kryeministrin kinez, Kryeministrin serb, Vuçiç dhe më pas me përfaqësues të Polonisë.

Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së Kryeministrit Rama, sidomos pjesës së sigurisë, duke thënë se “zoti Rama këtë herë nuk do të ketë truproja nga Shqipëria”.

Top Channel