Danimarka sfidon Rusinë dhe Kanadanë për Polin e Veriut

16/12/2014 00:00

Danimarka ka paraqitur një kërkesë në OKB, duke argumentuar se zona përreth Polin të Veriut është e lidhur me platformën kontinentale të Grenlandës, një territor autonom danez.

Ministri i Jashtëm, Martin Lidegaard tha se ishte një “moment historik dhe i rëndësishëm” për Danimarkë. Kanadaja dhe Rusia kanë pohuar tashmë sovranitetin e tyre mbi territorin Arktik të pasur me energji. Vendet e Arktikut kanë rënë dakord që një panel i OKB-së do të zgjidh mosmarrëveshjet, fokusi i të cilave është Lomonosov Ridge, një varg nënujor që ndan Arktikun në dy pjesë.

Një raport i Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara të vitit 2008 ka vlerësuar se më shumë se 22 përqind e burimeve të pazbuluara dhe të rikuperueshme ndodhen në Arktik, por Poli i Veriut ka pak gjasa të ketë naftë ose gaz nën ujërat e thella.

Në 2008-ën, Danimarka, së bashku me Rusinë, Norvegjinë, Kanadanë dhe SHBA-në thanë se mosmarrëveshja territoriale duhet të zgjidhet në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi ‘Ligjin e Detit’.

Paneli i përbërë nga 21 anëtarë do të hetojë pretendimet konkurruese për Polin e Veriut dhe duhet të vendosë nëse provat shkencore janë të vlefshme. Nëse pretendimet mbivendosen, atëherë shtetet duhet të negociojnë.

Martin Lidegaard, ministri i Jashtëm i Danimarkës tha se provat e mbledhura nga viti 2002 mbështesin pretendimet e Danimarkës për një sipërfaqe rreth 895 mijë kilometra katrorë, afërisht 20 herë sa madhësia e Danimarkës.

Top Channel