Zbulohet “super bakteri” në ujërat detare të Rio de Janeiro

16/12/2014 00:00

Studiuesit në Brazil kanë zbuluar një bakter, i cili i reziston antibiotikëve, në ujërat e detit ku do të zhvillohen sportet me vela në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

“Super bakteri”, i gjendur zakonisht në mbetjet spitalore, prodhon enzimën TMK, e cila është rezistente ndaj antibiotikëve. Studiuesit e gjetën bakterin në mostrat e marra në plazhin e Flamengos.

Gati 70 përqind e ujërave të zeza në Rio, një qytet me më shumë se 10 milionë njerëz, derdhen në gjirin detar Guanabara Bay. Zyrtarët vendas i kanë kërkuar banorëve të bëjnë kujdes të veçantë. Shpesh është njoftuar se në plazhet e Flamengos është i ndaluar notimi, por shumë njerëz i shpërfillin paralajmërimet e zyrtarëve.

Ishte premtuar se Rio do të ulte nivelin e ndotjes në Guanabara Bay me 80 përqind, por në qershor, kryetari i bashkisë pranoi se objektivi nuk përmbushej.

Autoritetet thonë se e kuptojnë shqetësimin e sportistëve, por insistojnë se ndotja e ujit nuk do të përbëjë rrezik të madh shëndetësor gjatë Olimpadës, e cila do të mbahet në muajin gusht të vitit 2016.

Top Channel