Australi, hetime për tragjedinë

16/12/2014 00:00

Kryeministri australian, Tony Abbott ka bërë homazhe në nder të dy pengjeve që humbën jetën të hënën në pengmarrjen në një kafene të Sidnejit.

Duke folur në një konferencë për shtyp, ai i cilësoi ata si “njerëz të mirë që ranë pre e fantazisë së sëmurë të një personi me çrregullime individuale”.

Dy pengjet humbën jetën bashkë me pengmarrësin kur forcat speciale të policisë bastisën kafenenë në lagjen Martin Place pas më shumë se 15 orë pengmarrje.

Viktimat janë menaxheri i lokalit, Tori Johnson, 34 vjeç dhe avokatja Katrina Dawson, 38.

Në zonën Martin Place të qytetit shumë njerëz janë mbledhur për të shprehur hidhërimin e tyre në librin e ngushëllimeve, si dhe për të vendosur lule në nder të viktimave.

Ndërkohë, një hetim është hapur mbi operacionin e policisë, si dhe për motivet e pengmarrjes që kishte si autor një refugjat iranian që njihej si ekstremist dhe ishte dënuar më parë për krime.

Hetuesit e policisë po përpiqen të zbulojnë se si Man Haron Monis kishte arritur të pajisej me një armë.

Në konferencën për shtyp, kryeministri Abbott tha se personi nuk kishte qenë në listën e të dyshuarve për terrorizëm, gjë që sipas tij do të sqarohet në ditët në vijim.

Qendra e Sidnejit u izolua tërësisht nga forcat e policisë që prej mëngjesit të së hënës, pasi agresori hyri në kafene dhe mbajti peng të pranishmit. Episodi u mbyll me ndërhyrjen e forcave speciale në orët e para të së martës, me orën lokale.

Hetimi i ngjarjes, që është një proçedurë standarde kur policia përfshihet në një incident fatal, po kryhet nga detektivët e seksionit të vrasjeve në Nju South Uells dhe mund të zgjasë javë ose muaj.

Top Channel