Axhenda e kryeministrit Rama në Beograd

16/12/2014 00:00

Reagimet në mediat serbe për rikthimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd kanë qenë të shumta, sidomos sa i përket aspektit të sigurisë.

Disa prej tyre kanë spekuluar se shefit të qeverisë shqiptare i është propozuar të veshë edhe një jelek antiplumb.

Ndërsa sa i takon axhendës mësohet se përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes dhe në forumet ekonomike, kryeministri Rama do të ketë rreth orës tre të së martës një takim me përfaqësues të qeverisë çeke, ndërsa gjatë mbrëmjes do të jetë i pranishëm në një darkë zyrtare të të gjithë kryeministrave, të kryesuar nga ai serb, Aleksandar Vuçiç.

Ndërsa të mërkurën Rama do të takohet me homologun kinez, përfaqësues të qeverisë polake, por ai mëvonshëm me homologun Vuçiç do të jetë në fokus.

Ky takim do të nisë në orën 11 në pallatin Serbija. Mësohet se dy kryeministrat do të diskutojnë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për organizimin e vizitës së zotit Vuçiç në Tiranë, që mund të ndodhë në shkurt.

Top Channel