Hahn: Debati bëhet në Kuvend, opozita të kthehet

16/12/2014 00:00

Ndërsa dy të mandatuarit e së majtës dhe së djathtës në Parlamentin Europian për Shqipërinë kanë mbërritur në Strasburg për plenaren e fundit të vitit dhe vijojnë negociatat deri në publikimin e deklaratës së pritshme për këtë javë, Komisioneri për Fqinjësi Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn e quajti iniciativën “hap të parë të rëndësishëm”, duke theksuar pas Këshillit të BE-së se, Komisioni ka nxitur për kthimin e opozitës në Parlamentin shqiptar dhe atë maqedonas.

“Ne kemi thënë gjithmonë se debati politik duhet të mbahet së pari në Parlament. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit ku opozita është larguar nga Parlamenti. Ne kemi shtyrë dhe kemi nxitur, kemi bërë çfarë kemi mundur që opozita të kthehet në Parlament dhe mendoj se ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Hahn.

Hahn parashikohet të vizitojë Tiranën, Shkupin e Prishtinën gjatë 3-mujorit të parë të 2015. Në kuadër të diskutimeve mbi Ballkanin, ministrat europianë miratuan konkluzionet për Bosnjen dhe Komisioneri foli për mundësinë e një marrveshjeje stabilizim asocimi së shpejti.

Por, më i prerë ai u tregua për çeljen e kapitujve të parë të negociatave me Serbinë, që kushtëzohet nga zbatimi i marrëveshjes së prillit dhe normalizimi i mardhënieve me Kosovën.

“Në disa fusha ka disa pika që mund të zbatohen nga qeveria serbe pa ndonjë koordinim apo bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Pra, nuk ka arsye për justifikime e të thuhet se nuk ka qeveri në vend. E po kështu në anën tjetër, kosovarët që qeverisin duhet të zbatojnë disa gjëra vetë, pa u justifikuar mbi palën tjetër”, tha Hahn.

Për herë të parë nën drejtimin e Federica Mogherinit, tryeza e radhës për dialogun e nivelit të lartë Prishtinë-Beograd pritet të mbahet në janar, siç njoftoi Përfaqësuesja e Lartë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Janari është periudhë e mirë për mua që të bind të dy kryeministrat për një takim në Bruksel, në mënyrë që ta nisim dialogun në këtë nivel menjëherë pas pushimeve të Krishtlindjeve dhe e di që këto zgjasin disi shumë në rajon. Ne kemi nisur përgatitjet për këtë dhe jam veçanërisht e gëzuar për rinisjen e dialogut, sepse e shoh si një ndër elementët, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, ku kontributi i Bashkimit Europian mund të bëjë ndryshimin”, tha Mogherini.

Megjithëse jo temë diskutimi, Mogherini tha se u kishte folur kryediplomatëve europianë për formimin e qeverisë së re në Kosovë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel