Ankthi politik për të nesërmen e vendit ka arritur kulmin në Greqi vetëm disa orë para votimit të parë për zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti, ku kërkohen 180 vota nga 300 ligjvënësit, ndërsa parashikimet më optimiste deri tani i japin kandidatit të qeverisë së koalicionit Stavros Dhimas rreth 165 vota.

Në këtë klimë të polarizuar komisioneri i Financave të BE, Pier Moskovisi, që ka vizituar Athinën për të diskutuar mbylljen e programit të ndihmës, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin Samaras se do të ishte negative për Greqinë rikthimi i mundësisë së daljes së saj nga eurozona, i ashtuquajturi “Grexit”.

“Mendoj se janë bërë kaq përpjekeje të mëdha nga autoritetet greke, kaq përpjekje nga populli grek. Pra, janë bërë shumë gjëra, të cilat janë të suksesshme edhe pse janë të dhimbshme. Ato kanë dhënë tashme frytet e tyre. Do të ishte për të ardhur keq nëse do t’i humbisni kot tani”, deklaroi Moskovisi.

Para takimit me komisionerin Moskovisi guvernatori i Bankës së Greqisë, Janis Sturnaras parajmëroi se në orët e fundit po vërehej një reduktim i likuiditetit, ndaj u bëri apel dramatik partive për të rënë dakord në mënyrë që të përfundojnë reformat e nisura.

Nga ana e tyre, radikalët e majtë, të cilëve sondazhet vazhdojnë t’u japin vendin e parë, u kujtojnë qytetarëve se qeveria aktuale me mediat që e mbështesin përpiqen të kultivojnë një klimë frike dhe destabilizmi në vend.

Sipas “New York Times”, skenari më i mirë për Greqinë, nëse ajo do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, është zëvendësimi i kryeministrit Samaras, pasi sipas gazetës, lëvizjet e fundit të tij kanë destabilizuar tregjet.

Por edhe ardhja e radikalëve të majtë në pushtet sipas tyre nuk do të ishte e dëshirueshme për kreditorët, pasi kjo forcë politike kërkon reduktimin e borxhit të vendit, ndaj do të ishte më e pranueshme në këtë rast që lideri i tyre, Alexis Tsipras të pranonte një vijë politike më pranë Berlinit, me të cilen do të binin dakord BQE dhe FMN.

Ndërsa “Financial Times” kritikon këtë parti duke theksuar se pika më e papjekur në programin e saj është se kërkon rritjen e shpenzimeve shtetërore duke minuar përpjekjet e kreditorëve të huaj të mbajnë financat e shtetit, për herë të parë fitimprurëse pas 182 vjet të pavarësisë së Greqisë nga Perandoria Otomane.

Top Channel