Pakistan, talebanët sulmojnë shkollën, 130 të vrarë

16/12/2014 00:00

Të paktën 130 persona, 80 prej të cilëve fëmijë, janë vrarë nga talebanët në një sulm të armatosur në një shkollë të administruar nga ushtria në provincën e Peshauarit në Pakistan.

Pesë apo gjashtë militantë të veshur me uniforma të agjentëve të sigurisë hynë në shkollë. Më pas, të shtëna dhe shpërthime u dëgjuan kur forcat e vërteta të sigurisë rrethuan godinën.

Ushtria thotë se shumica e nxënësve të shkollës, rreth 500, janë evakuuar. Ndërkohë që ende nuk dihet me saktësi se sa të tjerë po mbahen peng.

Një zëdhënës i talebanëve deklaroi se sulmi është një përgjigje ndaj operacioneve të ushtrisë. Qindra luftëtarë talebanë mendohet të jenë vrarë në operacionet e fundit ushtarake në Uaziristanin Verior dhe në qytezën e afërt të Khiberës.

Një punonjës i shkollës dhe një nxënës, të intervistuar nga televizioni lokal Geo, thanë se agresorët kishin hyrë të veshur me uniformat e ushtrisë në një auditor ku një njësi ushtarake po jepte mësimet e ndihmës së shpejtë për një grup studentësh dhe kishin hapur zjarr.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ambulancat që kanë transportuar të plagosurit në spitalin më të afërt, ndërkohë që zona po patrullohet edhe nga një helikopter. Mes viktimave raportohet të ketë edhe mësues, si edhe personel ushtarak të shkollës.

Sulmi nisi në orën 10 me orën lokale. Instituti ndodhet pranë një baze ushtarake të Peshauarit, që në vitet e fundit ka përjetuar disa nga sulmet më të dhunshme të rebelimit të talebanëve.

Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif e ka konsideruar sulmin një “tragjedi kombëtare”. Ndërsa banorët vendas thanë gjithashtu se kishin dëgjuar edhe klithmat e studentëve dhe mësuesve.

Top Channel