Me vëmendjen e përqendruar këto ditë tek samiti i Beogradit, shumëkush mund të pyesë përse duket Kina kaq e interesuar për Ballkanin. Pyetjes i jep një përgjigje autoritare tek revista prestigjioze për Azi-Paqësorin, “The Diplomat”, Valbona Zeneli.

E njohur për eskpertizën e saj në çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe influencën që ushtron ekonomia botërore në sigurinë globale, Zeneli bën një analizë të detajuar që shkon përtej panoramës sipërfaqësore të situatës.

Për profesoren e Qendrës Marshall në Gjermani, ajo çfarë tërheq Pekinin në rajonin e Ballkanit i kapërcen tregjet rajonale, të cilat në aspektin tregtar mund të konsiderohen të papërfillshme.

Po kështu, duket se kalon mbi nevojën për të siguruar një burim lëndësh të para, edhe pse Ballkani është i pasur me resurse natyrore.

Në analizën e Valbona Zenelit, Kina duket të jetë e fokusuar tek infrastruktura dhe afrimi në tregjet e Europës perëndimore. Strategjia afatgjatë e saj e sheh Serbinë partnere strategjike në rajon. Lidershipi kinez beson se Beogradi mund përmbushë rolin e një qendre europiane transporti.

Marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë mes Beogradit dhe Budapestit u firmos në nëntor të vitit të kaluar dhe parashikohet që të përfundojë në vitin 2017, çka thekson interesat kineze në projektet e infrastrukturës. Plot 2.5 miliardë euro do të hidhen me këtë qëllim nga Banka Kineze e Zhvillimit.

Duke analizuar këto dhe fakte të tjera me rëndësi ekonomike, artikulli tregon se një angazhim i tillë i Pekinit fsheh në vetëvete strategjinë e një aksesi më të madh në tregjet europiano-perëndimore për të promovuar në këtë mënyrë akvitetet e veta tregtare.

Një nga pikësynimet është avancimi i një rruge të re të mëndafshtë nëpërmjet përshpejtimit të investimeve në insfrastrukturën rajonale dhe krijimit të një rrjeti të madh portesh, qendrash logjistike dhe hekurudhash, të cilat të ndihmojnë shpërndarjen e prodhimeve kineze e t’i japin një shtysë të rëndësishme tregtisë lindje-perëndim.

Pikënisja e këtij rrjeti, sipas eskpertes shqiptare për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, është porti grek i Pireut, i cili ka që prej 2009-s që thith investime të konsiderueshme nga Kina.

 

Top Channel