Samiti i Beogradit mes Kinës dhe vendeve të Evropës jug-lindore ka nisur me takimet bilaterale mes përfaqësuesve të qeverive të rajonit, në pallatin Serbija, ku kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka pritur homologët dhe zyrtarët e vendeve pjesëmarrëse.

Ata kanë vlerësuar se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe se ai me Kinën do të çojë gjërat përpara, sidomos sa i përket investimeve në infrastrukturë.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic vlerësoi se edhe energjitika është një sektor i rëndësishëm krahas infrastrukturës për lidhjen mes vendeve të rajonit.

Kryeministri Edi Rama, që ka mbërritur në Beograd paraditen e së martës, do ketë takime gjatë pasdites me shumë zyrtarë e biznesmenë, me të cilët do të diskutojë për projektet.

Në buxhetin prej 10 miliardë dollarësh i parashikuar nga qeveria Kineze për vendet pjesëmarrëse, Shqipëria do të ketë një pjesë të konsiderueshme.

Në fokus është Rruga e Arbërit që do të fillojë vitin e ardhshëm, ndërkohë që me interes nga Pekini shihet edhe porti i Shëngjinit. Gjithashtu, Kina synon të bëhet pjesë e prodhimeve rajonale.

Rreth 7 mijë policë po kujdesën për mbarëvajtjen e këtij samiti, i cili ka rreth 6.600 pjesëmarrës, përfshirë kryeministrat dhe delegacionet e vendeve të ndryshme.

Kryeministri kinez mbërriti në kryeqytetin serb mbrëmjen e së hënës, ku zhvilloi edhe një takim me homologun e tij Vuçiç. Por për atë që është biseduar nuk pati asnjë njoftim nga zyrat përkatëse.

Top Channel