Meta: Basha, standard të dyfishtë. Refuzoi vendimin e gjykatës

16/12/2014 00:00

“Është një zhgënjim i thellë që vjen nga zoti Basha.” Ilir Meta është përfaqësuesi i parë i lartë i mazhorancës që kundërshton si qëndrim destruktiv deklarimin e kreut të demokratëve Lulzim Basha, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi hartën territoriale me 61 bashki.

Ilir Meta i kujtoi Lulzim Bashës se është duke mbajtur standarte të dyfishta për vendimet e Kushtetueses: “Nuk duhet të akuzojë mazhorancën për standarte të dyfishta, ndërkohë që vetë aplikon standarte të dyfishta. Kërkon respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kur ato shkojnë në interesin politik të tij dhe kur Gjykata jep vendime që nuk shkojnë në interesin e tij politik, del kundër këtyre vendimeve. Kjo nuk është një situatë serioze.”

Në kundërshtim të pretendimit të opozitës se ndarja favorizon mazhorancën në zgjedhje, Ilir Meta mendon të kundërtën, se kjo hartë favorizon në fakt opozitën: “Janë ata që kanë Bashkinë e Tiranës dhe Bashkia e Tiranës do të dyfishohet. Askush nuk i pengon që të rifitojnë këtë bashki që është e barabartë me të gjitha bashkitë e Shqipërisë.”
 
Por, a do të jenë të besueshme zgjedhjet në rast të një vendimi ekstrem të opozitës për të mos marrë pjesë në to: “Absolutisht të besueshme sepse askush nuk e pengon opozitën të marrë pjesë në zgjedhje. Në çdo rast do të ketë kandidatë opozitarë alternativë. Të jeni të sigurt se ne e inkurajojmë opozitën të marrë pjesë dhe nuk e dekurajojmë.”
 
Vëmendjen duhet ta përqendrojmë te 21 qershori tha kreu i Kuvendit, i cili deklaroi se edhe plotësimi i KQZ-së duhet të bëhet shumë shpejt.

Ilir Meta njoftoi se ditën e premte do të nisin edhe seancat dëgjimore për kandidatët për Këshillin Mbikqyrës të Bankës, ndërsa e cilësoi si tregues të funksionimit të Kuvendit qëndrimet e ndryshme brenda mazhorancës për dekretin e Presidentit për guvernatorin. 

Por, është Kuvendi ai që do të thotë fjalën përfundimtare për të dhe askush të mos e paragjykojë, ishte ftesa e Ilir Metës.

Top Channel