PD: Siguria në gjendje kritike, krimet shtohen çdo ditë

16/12/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, dënoi largimin e Policisë së Shtetit nga detyra dhe arsyeja kryesore e ekzistencës së saj, që është rendi dhe siguria publike.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e rënda të ditëve të sotme, zoti Ristani deklaroi në një dalje para mediave se siguria është në gjendje kritike dhe se media nuk i raporton të gjitha krimet që ndodhin: “Ngjarjet e rënda sot me 3 viktima në Tiranë dhe me të plagosur në Durrës, po dhe ngjarjet e rënda dje e çdo ditë, po dëshmojnë se rendi dhe siguria vazhdojnë të jenë në gjëndje kritike në Shqipëri dhe pasiguria për qytetarët po rritet çdo ditë. Ky është realiteti që po jetojmë, por duhet të kujtohemi se ende disa ngjarje nuk dalin në media, pasi krimet kundër jetës e pronës, grabitjet me maska, aksidente tragjike, po ndodhin çdo ditë dhe sidomos ato të periferive dhe rretheve të largëta, policia nuk i raporton.”  

“Partia Demokratike është e shqetësuar për përkeqësimin e situatës së rendit dhe sigurisë, gjë që vjen drejpërdrejtë si pasojë e shfokusimit të policisë nga detyra e saj kryesore, dhe përqendrimi tek porositë, urdhërat dhe aksionet propagandistike të Edi Ramës”, shtoi Ristani.

Top Channel