Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj stacioneve policore që ndodhën javën e kaluar në qytetet e Tetovës dhe Kumanovës.

Përmes një komunikate të shpërndarë mediave, kjo ushtri bën të ditur se javën e kaluar ka sulmuar edhe disa stacione të tjera policore në Shkup e Gostivar, për të cilat Ministria e Brendshme nuk ka informuar.

“Mbrëmjen e 9 dhjetorit, në orën 20, në mënyrë të koordinuar njësitet e UÇK goditën në afërsi të stacionit policor në Bit Pazar dhe njësinë speciale Ilinden në Shkup, si dhe stacionet e policisë në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë”, thuhet në komunikatë.

Bashkë me dokumentin ku merr përgjegjësinë për sulmet, UÇK-ja ka shpërndarë edhe një deklaratë politike, të  firmosur nga, siç thuhet në komunikatë Komandat Kushtrimi, i cili tërheq vërejtjen se Maqedonia gjendet para një lufte të re dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ndërhyjë për të evituar përshkallëzimin e situatës.

Në formë të njëjtë, përmes një komunikate për media, UÇK-ja ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmin me granata ndaj godinës së qeverisë në Shkup, që ndodhi rreth dy muaj më parë.

Ministria e Brendshme ende nuk ka zbardhur asnjërin nga këto raste. Drejtuesit e policisë nuk kanë bërë asnjë koment për UÇK-në dhe nuk kanë sqaruar nëse posedojnë informacione se kush qëndron prapa kësaj ushtrie.

Dy komunikatat e lëshuara nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare përmes internetit mbajnë emblemë të ngjashme me atë të UÇK-së që luftoi në vitin 2001.

Top Channel