Britani, shqiptari fiton 100 mijë sterlina, hyn në “Guinness”

16/12/2014 00:00

Shqiptari Shaban Binaku, pronar i një lavazhi makinash në kryeqytetin britanik, pasi ka luajtur në bingon “Beacon” në Londër ka marrë dhuratën më të madhe të Krishtlindjes, pasi me shumën e fituar të 100 mijë stërlinave, ai ka thyer rekordin “Guinness” për shumën e fituar në një sallë bingoje, sipas gazetës britanike “The Mirror”.

35-vjeçari shqiptar me banim në Londrën veriore i ka thënë gazetës se “nuk më besohet që kam fituar. Më duket vetja si në ëndërr. Kjo shumë do të ndryshojë jetën e familjes sime dhe nuk kishte moment më të mirë për fitimin e një shume të tillë parash”.

Shabani, me origjinë nga Kosova, ka fituar edhe më parë çmime duke luajtur në bingo, një lojë mjaft e përhapur në Britani. Ai ka fituar më parë shuma prej 5 mijë apo 10 mijë stërlinash, pasi shkon në sallat e kësaj loje fati tri herë në javë, me familjen dhe miqtë e tij.

Steve Lightfoot, menaxheri i përgjithshëm i klubit të “Cricklewood” shton se “ne jemi absolutisht të gëzuar për Shabanin, që fitoi 100 mijë stërlina në prag Krishtlindjeje, por edhe se emri i tij është regjistruar në librin e rekordeve ‘Guinnness’”.

Top Channel