Kina ‘zbarkon’ në Ballkan, Rama zbardh marrëveshjet që synohen

16/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama mbërriti në Beograd për të marrë pjesë në punimet e
samitit ekonomik të organizuar nga Kina me vendet e Europës
Jug-lindore, ku objektiv është nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh me
rëndësi, kryesisht infrastrukturore.

Vizita nisi me një takim dypalësh me përfqësues dhe zyrtarë të qeverisë çeke, ndërkohë që para se të hynte në këtë takim, Kryeministri Rama zbardhi për Top Channel disa prej projekteve ku kërkohet financimi kinez.

“Samiti është me një rëndësi për të gjithë vendet e rajonit dhe për projektet konkrete. Besoj dhe shpresoj që të finalizojmë një përpjekje 1-vjeçare për financimin e Rrugës së Arbërit. Kemi një sërë kontaktesh të rëndësishme me të tjerët në rajon për të folur dhe për të finalizuar një qendrim të propozuar prej nesh për lidhjen hekurudhore të rajonit, ashtu si një sërë marrëveshjesh të tjera me palën kineze, për infrastrukturën, zonën industriale dhe për mbështetjen e bujqësisë për sistemin e ujitjes dhe kullimit”, tha Rama.

Mbërritja në Beograd është një rikthim i Ramës pas vizitës zyrtare të 10 nëntorit dhe tensionit diplomatik që shkaktoi deklarata në lidhje me Kosovën.

“Shpresoj që t’i japim procesit, që për mua është pa kthim, më shumë ritëm. Serbia është fqinji ynë, dhe duhet ta them që procesi i përbashkët për të çuar përpara projektet e bashkëpunimit dhe për Serbinë sa më shpejt të njohë Kosovën aq më mirë do të jetë për të parë tërësisht nga e ardhmja”, deklaroi Kryeministri.

Kina parashikon një buxhet prej 10 miliardë dollarësh për vendet pjesëmarrëse dhe Shqipëria pritet të përfitojë një pjesë të konsiderueshme të kësaj shume.

Top Channel