Basha denoncon Ramën dhe Metën: “Eliminuan demokracinë, instaluan oligarkinë”

16/12/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përcolli për Departamentin e Shtetit mesazhin se për një vit e gjysmë qeveria e koalicionit të majtë rrënoi standardet demokratike të arritura në 24 vjet.

Në takimin me drejtorin për Cështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi, zoti Basha foli për asgjësimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe sulmet fizike me skenarë të mirëorganizuar nga kryeministri me anë të deputetëve me të shkuar kriminale, të cilët gjenden enkas në Kuvend për të kërcënuar fjalën e lirë.

Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu përfaqësuesit të Departamentit Amerikan të Shtetit alarmin për kapjen e institucioneve të pavarura nga dyshja Rama-Meta dhe rritjen e presionit ndaj gjykatave.

“Pushteti absolut oligarkik dhe jo demokracia dhe shteti ligjor është realiteti që po instalon në vend dyshja Rama-Meta”, u shpreh zoti Basha.

Duke i bërë të ditur zyrtarit të lartë amerikan se rrënimi i standarteve demokratike po rrezikon bashkëjetesën demokratike në vend, kryetari i opozitës shprehu bindjen se monitorimi dhe asistenca e partnerëve tanë strategjikë do të kontribuojnë në rikthimin e stabilitetit politik të vendit. Basha ritheksoi qëndrimin e Partisë Demokratike se harta territoriale e miratuar nga shumica ka për synim kapjen e zgjedhjeve në tavolinë.

“Për këto arsye kjo hartë e interesave politike dhe pazareve të dyshes Rama-Meta është e papranueshme nga opozita, u shpreh ai.
 

Top Channel