Çmimet e Gazetarisë për vitin 2014

16/12/2014 00:00

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau çmimet e përvitshme, duke vlerësuar reporterët më të mirë për vitin 2014. Kreu i këtij unioni, Aleksandër Çipa, vlerësoi punën e gazetarëve gjatë vitit, duke vënë theksin edhe te problemet e hasura në mediat shqiptare.

Çmimin “Gazetari i Vitit”, unioni ia dha Marin Memës, si autor i një ndër programeve më të ndjekura në vend, “Shqipëria Tjetër” në Top Channel, ndërsa “Çmimi Special” i takoi gazetares Monika Stafa.

“Është pikërisht kjo e vërtetë që duhet të na prijë për të ecur përpara, për të bërë sa më mirë profesionin tonë. Ndoshta Shqipëria ka shumë probleme dhe, pikërisht ne duhet të jemi ata që duhet të jemi shumë më pranë njëri-tjetrit, shumë më pranë qytetarëve, për t’i thënë të vërtetat e tyre. Të kenë edhe ata mundësinë të gjejnë hapësirën”, u shpreh Marin Mema.

“Një falënderim të posaçëm do të jap në këto momente, për atë që më ysht çdo ditë dhe natë, muzën time, babain tim”, deklaroi Monika Stafa.

I pranishëm në këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dorëzoi “Çmimin e Karrierës” dhënë nga unioni, gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Konomi.

Çmime morën edhe kolegët Dhimitër Gjoka, Roland Qafoku, e të tjerë. Unioni ka nderuar me çmime edhe kolegë nga Kosova dhe Maqedonia.

Top Channel