Didi-Llallës: Hetim për nxjerrjen e sekreteve të Julian Sinanit

16/12/2014 00:00

Dosja e “bandës së tritolit” dhe e të akuzuarit si vrasës me pagesë, tashmë dëshmitar i drejtësisë, Julian Sinani, duket se nuk ka më sekrete hetimore.

E pikërisht kjo gjë, me shumë mundësi, ka shqetësuar së tepërmi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili nëpërmjet një letre po sekrete, i kërkon prokurorit të Përgjithshëm të hetojë se nga kanë dalë të dhënat sensitive të publikuara në media.

Bëhet fjalë për rrëfimin e Julian Sinanit, njeriut që akuzohet se ka kryer gjashtë vrasje me pagesë, i marrë nga fashikujt në përfundim të hetimeve, dhe i publikuar njëkohësisht në disa media.

Përgjatë nëntë ditëve në muajin nëntor, në media janë publikuar deklarimet e të pandehurve Julian Sinani dhe Ndriçim Gjokona, thotë numri një i Policisë. Në asnjë rast, – informon kryepolici prokurorin e Përgjithshëm Llalla, – gjatë marrjes së deklarimeve nuk kanë marrë pjesë specialistë të Sektorit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit, çka do të thotë se ata nuk janë njohur me përmbajtjen e tyre.

Në këtë mënyrë, duke nënkuptuar se të dhënat kanë dalë nga Prokuroria, drejtori i Përgjithshëm i Policisë kërkon nisjen e hetimeve për zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete, sepse wshtw dwmtuar procesi hetimor.

Por, ajo që duket se e ka shqetësuar edhe më tepër kryepolicin Didi, përveç dëmtimit të procesit, është edhe akuza e Sinanit në gjyq, kur tha se kishte deklaruar edhe emra të tjerë, por që Policia nuk i kishte arrestuar.

Për Didin, prokurori i Përgjithshëm duhet të ndërhyjë në vlerësim të një situate jo normale, ku në media të shkruara dhe elektronike janë publikuar elementë të rëndësishëm të hetimit, të cilat jo vetëm nuk disponohen nga strukturat e Policisë, por edhe trajtohen si sekret hetimor.

Me shumë mundësi, kjo letër pritet të ndikojë së pari edhe në rrjedhën që do të marrë procesi gjyqësor, për të cilin deklarohet në rrugë jo zyrtare se do të kërkohet gjykimi me dyer të mbyllura, deri sa të përfundojë rrëfimin Julian Sinani.

Top Channel