Prodhimet shqiptare në tregjet e huaja, Gjosha e Panariti: Rrisni cilësinë

16/12/2014 00:00

Produktet shqiptare bio po zënë vend në tregjet elitare të Bashkimit Europian. Vaji i ullirit, që prodhohet nga ulliri i bardhë në fabrikën e sipërmarrëses Shpresa Shkalla, në periferi të Tiranës, eksportohet sot në tregjet e Zvicrës, duke lënë pas vajin e ullirit italian apo atë spanjoll.

“Në vitet e para të punës kemi filluar të prodhojmë vaj bio nëpërmjet një projekti zvicerian, e më pas nisëm edhe eksportet në Zvicër, ku eksportojmë prej 10 vitesh, pasi është një treg shumë i rregullt”, tha Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit.

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, vlerësoi arritjet e një gruaje sipërmarrëse, por nga ana tjetër theksoi se standardet e produkteve shqiptare janë kusht për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Standardi i produkteve shqiptare do të jetë shumë shpejt edhe një nga kushtet ndaj Shqipërisë për hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Europian, për hapjen e negociatave, ku mund t’iu them me bindje të plotë se bujqësia do të zërë plot 65% të negociatave që do të ketë Shqipëria. Produktet shqiptare do të jenë ato që do të vendosen përpara një konkurrueshmërie shumë të madhe me tregun e Bashkimit Europian. Pikërisht kjo fabrikë i ka arritur të gjitha këto standarde, është e çertifikuar dhe sot konkurron më të rëndësishme dhe më të suksesshme të vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, vlerësoi cilësinë e vajit të ullirit, prodhuar nga kjo fabrikë.

“Bart mbiemrin Shkalla, që është edhe shkalla jonë drejt Europës, për arsye se këtu ne kemi një sipërmarrje, e cila plotëson rigorozisht standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Është vërtet një vitrinë e standardeve më të larta, duke filluar nga procesi i grumbullimit të ullirit, i pastrimit, i klasifikimit, i teknologjisë së përpunimit dhe i prodhimit të një vaji elitar”, deklaroi ministri Edmond Panariti.

Të dy ministrat u bëjnë thirrje prodhuesve, që të rrisin cilësinë e produkteve shqiptare bio, me qëllim që të bëhen pjesë e tregjeve europiane.

Top Channel