Hapja e dosjeve, mazhoranca kërkon të ndjekë modelin gjerman

16/12/2014 00:00

Dosjet e sigurimit të shtetit duhet të hapen. Por mënyra se si duhet të kryhet ky proces është mjaft delikate. Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj tha se  mazhoranca është e bindur në hapjen e mijëra dosjeve sipas modelit gjerman.

“Çdo viktimë e komunizmit dhe pasaardhës i drejtpërdrejtë i tyre ka të drejtën për të njohur të vërtetën. Kjo nënkupton të drejtën për të hetuar dhe për të njohur çdo aspekt të dhunimit të cilat mbeten ende të mbuluara nga fshehtësia arkivore,. Kjo transparencë nënkupton gjithashtu përgjegjësinë që çdo person që kërkon post të lartë shtetëror në vend ta bëjë të qartë publikisht lidhjen e tij me të shkuarën komuniste përmes një procesi që ka në thelb jo ndëshkimin, përmes përjashtimit nga procesi për të konkuruar, por detyrimin që t’u japim besim institucioneve tona përmes transparencës përpara të gjithë votuesve, apo strukturave politike që bëjnë emërimet”, tha Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.

Zv.Ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj tha se gjatë vitit 1997 nga vjedhja e në tunelin e Krrabës ku ndodheshin edhe dosjet e sigurimit të shtetit dhe një pjesë e dosjeve janë zhdukur. Por zyrtarët thonë se një kopje e dosjeve të zhdukura dhe të paprekura ekzistojnë tek Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Për arsye të ndryshme në vitin 1997 është sulmuar depo kryesore e dokumentacionit në Krrabë dhe atje është bërë një masakër, si pamja e zyrave të STASS-it në vitin 89-90 në Gjermani. Ndodhen edhe dosje bashkëpunëtorësh të sigurimit të shtetit. i kam me shifra sipas qarqeve, ku çuditërisht mungon qarku i Tiranës”, tha zv.Ministri Mustafaraj.

Simon Miraka u shpreh se një pjesë e madhe e funksionarëve të shtetit janë me dosje dhe ato duhet të ishin hapur.

“Hapja e dosjeve dhe ligji i lustracionit janë të ndryshme. Hapja e dosjeve ka të bëjë me gjetjen e bashkëpunëtorëve dhe me personat që janë ndjekur. Jam njohës i mirë i sigurimit të shtetit. një pjesë e mirë e bashkëpunëtorë, mos me thënë më shumë se 50 përqind e tyre janë bërë nëpërmjet një dhune dhe torture të pashembullt. Secili nga ne këtu, në rast se do të kalonte në ato tortura, të jeni të bindur që bashkë me mua do ta kishin firmosur. Jemi dëshmitarë sot që hetues dhe prokurorë i kemi në majat më të larta të drejtësisë”, tha Simon Miraka, i përndjekur politik.

Elsa Ballauri kërkoi që hapja e dosjeve të shoqërohet edhe me ligjin lustracionit, një projektligj që shoqëria civile e ka dërguar në parlament.

“Ne kemi një kombinim të hapjes së dosjeve, jo vetëm për transparencë, për historinë, për mirëmbajtjen dhe për të gjitha këto që u thanë këtu, me lustracionin. Jo çdo njeri duhet të pësojë një dëm të përgjithshëm, sepse janë 20 vjet edhe ai ka dhënë diçka. Që të mos ketë thjesht një hapje teknike të dosjeve. Dosjet janë përdorur nga politika dhe deri më sot nuk besoj se nuk janë hapur kot dhe s’besoj që nuk ka patur nisma që nuk do deshin të hapeshin dosjet për të kuptuar se çfarë ishte sigurimi. Por nuk donin dhe nuk donin politikanët dhe shoqëria mbeti e heshtur dhe shoqëria civile, akoma më shumë heshti dhe nuk ka patur një reagim nga brenda. Gjermanët nuk do e bënin këtë nëse nuk do të kishte një reagim nga brenda. Nuk mendoj se ne shqiptarët duhet të hapim dosjet thjesht për lustracion. Për mendimin tim duhet të ketë një tjetër mënyrë e përdorimit të dosjeve, tanimë jo e fshehtë por e hapur. Nuk shoh një dëshirë të mirë për të ndërtuar historinë”, tha Elsa Ballauri, përfaqësuese e shoqërisë civile.
 
Ambasadori gjerman Hoffman tha se ky është një proces i vështirë dhe i hidhur të cilin Shqipëria duhet ta kalojë. Zoti Hoffman tha se hapja e “BunkArt“-it në Tiranë, ish-tunelit të nëndheshëm të dikaturës, që u konsiderua nga disa politikanë si rehabilitim i diktatorit, është e kundërta.

Top Channel