Nxënësit e Lazaratit, rikthim i vështirë pas traumës që la hashashi

16/12/2014 00:00

Matura e vitit të kaluar në shkollën e Mesme të Bashkuar “Muhamet Gjollesha”, në Lazarat, pati vetëm 4 nxënës që u paraqitën në provime. Edhe ata, sipas drejtuesve të shkollës, u diplomuan gjatë sezonit të vjeshtës.

Situata lidhej me gjithë kaosin e shkaktuar para dhe gjatë ndërhyrjes së policisë, për të asgjësuar plantacionet e kanabisit. Nëndrejtori i kësaj shkolle, mësues për vite me radhë në këtë shkollë, Përtef Gaba, thotë se mentaliteti se mund t’i dilej edhe pa shkollën ishte diçka, që stafit pedagogjik i duhej të përballej me vështirësi të mëdha.

“Mirëpo duke qenë se të ardhurat e fshatit ishin normalisht të mira, e vende-vende edhe shumë të mira, u krijua një farë mënjanimi ndaj shkollës, në kuptimin që ‘për çfarë duhej shkolla, kur ne kemi mundësi të jetojmë dhe madje të jetojmë mirë’”, shprehet Përtef Gaba, nëndrejtor i shkollës “Muhamet Gjollesha”.

Stafi i mësuesve pohon se pjesëmarrja e prindërve në mbarëvajtjen e edukimit ka qenë minimale. Kultivuesit, që për vite me radhë krijuan pasuri, ndërtuan shtëpi shumëkatëshe dhe blenë makina luksoze, nuk i hodhën kurrë sytë nga shkolla.

Fëmijët, që lindën në fillesat e kultivimit të hashashit dhe sot janë maturantë, thonë se e ardhmja e të gjithëve do të jetë e lidhur me edukimin dhe profesionet. Ismilda Çela dhe Krisilda Basha thonë se shkolla ka vijuar të funksionojë pavarësisht kultivimit, dhe se ato synojnë shkollat e larta me aftësitë e tyre.

“Kultivimi i drogës nuk ka lidhje fare me mësimin, janë dy gjëra të ndara dhe të ndryshme. Kultivimi i drogës ndodhi për 10 vjet me radhë këtu në fshatin tonë, por ne vinim në shkollë çdo ditë normalisht, pasi nuk kishte lidhje me drogën”, shprehet Ismilda Çela, nxënëse.

“Jeta ka qenë shumë në rregull në fshat. Nuk është se kur s’ka pasur kultivim kemi qenë keq. Kemi qenë gjithnjë në rregull, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi”, thotë Krisilda Basha.

Xhejdi Selimi, një 18-vjeçar maturant, thotë se edhe ai do të ndjekë universitetin, por sipas tij shkolla ende nuk ka dalë nga trauma dhe kjo do të marrë kohë.

“Ka ndryshuar mënyra e jetesës. Nuk ka më fodullëqe, që i bënin nxënësit të vinin në shkollë dhe të silleshin keq, por të gjithë janë kthyer në normalitet dhe s’ka më drogë. Askush nuk sillet më me mendjen e para pak kohëve”, thotë Xhejdi Selimi.

Shkolla e Mesme e Bashkuar e Lazaratit ka 88 nxënës në ciklin e mesëm, dhe 295 në atë 9-vjeçar. Sipas banorëve, një pjesë e mirë e familjeve kanë preferuar largimin e fëmijëve drejt shkollave të qytetit, menjëherë pas përfundimit të edukimit 9-vjeçar.

Top Channel